“Kuvend, situata arriti kulmin”

18/01/2011 20:50

Servet Pëllumbi, ish-kryetar i Kuvendit, thotë se u befasua nga seanca e parë e parlamentit. Si qytetar, ai ndihet i hidhëruar.

“Natyrshëm qytetarët nuk mund të kenë besim në një institucion të tillë që zhvillon seanca kaq të ulëta, kaq jo civile, kaq jo humane, me sharje, fyerje, reciproke për njeri-tjetrin. Në krye të të gjithë kësaj maskarade qendronte kryeministri i vendit. Si ish deputet në disa legjislatura dhe ish kryetar i parlamentit përgjigjja që dhash brenda vetes sime ishte kjo se Berishës si politikan nuk i ka mbetur asnjë argument, asnjë fije ndershmërie dhe serioziteti. Nuk kanë argumenta për të mbrojtur këtë krizë dhë këtë korrupsion galopantë që ka përfshirë politikanët”, deklaroi Pëllumbi.

“Boll më me këtë gjuhë se edhe njerëzit e ndjejnë veten shumë të lodhur. Le të provokojë kushdo, ai që është politikan, që ka argumenta dhe ide, di të përballojë provokimet. Edhe unë kur isha kryetar parlamenti kisha shumë provikime, por nuk mbajë mend të kem përdorur një gjuhë të tillë, apo të kem lejuar përdorimin e një gjuhe të tillë”, shtoi Pëllumbi.

Në këtë pikë të njëjtin mendim ndan edhe Sabri Godo. Përgjegjshmëria sipas tij, duhet treguar nga mazhoranca:

“Opozita atë punë ka të provokojë, puna është të mos biesh pre e provokimit dhe kjo kërkohet nga mazhoranca”, tha Godo.

Zoti Godo mendon se seanca e Kuvendit, tregon qartë se palët nuk po ecin drejt një marrëveshjeje politike:

“Ajo që u pa mbrëmë ishte me të vërtetë kulmi. Ishte një gjë krejt e paduruar. Ne po i themi hapur botës se ecim në të kundërtën e asaj që kërkoni nga ne. Tani thuhet se në 21 janar e mbrapa thuhet se socialistët do të bëjnë protesta, do të thotë tensionet do të shtohen edhe më tepër”, deklaroi Godo.

“Protestat bëhen në çdo vend të demokracisë dhe unë e lidh këtë me kontekstin në cilin jetojmë, ambjentin, ajrin që thithim. Duket sikur po shkojmë me të vërtetë drejt një ballafaqimi total. Atje mbrëmë nuk ka fituar asnjë nga palët. Duhet ndryshuar mënyra e të menduarit, mënyra e të folurit dhe të bërit të gjërave. Unë kam pak shpresë se do të ndodhë kjo”, theksoi Godo.

Top Channel