
Qeveritarët shqiptarë janë imoralë. Deklarata nuk është bërë nga ndonjë eksponent i opozitës, por nga një prej anëtarëve të mazhorancës qeverisëse, Aleksandër Biberaj.
Duke folur në emisionin “Shqip” në Top Channel, Biberaj është shprehur se videoja e regjistruar në zyrën e ish-ministrit të Energjitikës është një problem serioz.
“Nuk është problemi tek manipulimi i videos. Problemi është se videoja është regjistruar në zyrat e shtetit shqiptar, gjë që tregon imoralitetin e qeveritarëve”, ka deklaruar Biberaj.
Sipas tij, videoja e regjistruar fakton një prej problemet kryesore që shqetëson shoqërinë shqiptare, korrupsionin, i cili është më se i pranishëm në këtë qeveri.
“Problemi kryesor është korrupsioni. Shqipëria ka 20 vjet që është e zhytur në korrupsion. Me përjashtim të qeverisë së parë demokratike, korrupsionin e instaloi PS. Me ardhjen në pushtet të PD u shpresua se korrupsioni do të luftohej, por jo vetëm që nuk u luftua, por ata persona që janë akuzuar për korrupsion janë në pushtet”, ka pohuar Biberaj.
Deputeti ka theksuar se përgjegjëse për këtë situatë është vetë partia që gëzon shumicën, PD, e cila sipas tij ka konsoliduar sistemin e korrupsionit.
“Qeverisja aktuale, ku shumica e elementëve vijnë nga e majta, ka një sistem korrupsioni që është ngritur për fat të keq nga lidershipi i PD dhe nuk ka vullnet për të luftuar korrupsionin”, ka shtuar Biberaj.
Top Channel