Shteti “kontrollon” Porto Romanon

17/01/2011 08:10

Vendoset kontrolli absolut fiskal te depozitat e naftës në Porto Romano. Zona më e rëndësishme në vend, ku me mijëra tonë naftë shkarkohen nga anijet e importit, tashmë ndodhet nën monitorimin e strukturave tatimore për shkak të vendosjes së kasave fiskale te depozitat e karburantit.

Mësohet se procesi i fiskalizimit të depozitave me karburant tashmë ka përfunduar dhe pritet që i njëjti operacion të nisë edhe për impiantet e gazit.

Procesi i kasave fiskale ka përfshirë edhe tregun më të madh në vend, atë të karburanteve. Duke qenë se me pikat e pakicës shteti po haste vështirësi për kontrollin e të gjitha njësive, të paktën te burimi, pra te shumica, janë vendosur pajisje fiskale që bëjnë të mundur monitorimin e vazhdueshëm të kësaj tregtie.

Në Porto Romano, zonë bregdetare pranë Durrësit janë të vendosura depozitat më të mëdha të karburantit dhe gazit në vend, që mbajnë secila deri në 10 milionë litra naftë apo benzinë.

Procesi i instalimit të një shoqërie që disponon depozitë karburanti zgjat deri në tri ditë, kurse kostoja që duhet të paguajë varet nga numri i kalimatësve, pra i tubave kryesorë që shtrihen përgjatë njësive mbajtëse.

Me vendosjen e kasave te depozitat e naftës të shumicës, tashmë tregu mund të konsiderohet i kontrolluar nga shteti dhe tatimet e kanë më të thjeshtë të verifikojnë aktivitetin e shoqërive private. Vendosja e kasës bën të mundur që çdo shitje, pra furnizim nga depozita tek autoboti të kryhet përmes faturës, e cila deklarohet në fund të ditës tek tatimet përmes transmetimit të të dhënave të kasës.

Mësohet se procesi i fiskalizimit të depozitave të naftës është shtrirë edhe te shoqëria ARMO, e cila përpunon naftën vendase dhe që konsiderohet më e madhja në vend.

Procesi ka përfunduar këto ditë, bëjnë të ditur burime zyrtare nga administrata tatimore. Sa i takon një tjetre zone energjetike, ku i lejohet me ligj të depozitojë karburant, “Petrolifera” në Vlorë, procesi pritet të nisë shpejt dhe se po përgatiten infrastruktura e duhur për të bërë të mundur vendosjen e kasave fiskale.

Për ta mbyllur të gjithë ciklin, Ministria e Financave ka vendosur që edhe magazinat doganore të pajisen me kasa fiskale, në mënyrë që kontrolli ndaj mallit të shtrihet deri në burimin e tyre.

Tregu i karburanteve në vend konsiderohet si një ndër më të rëndësishmit për shkak të volumit të madh të transaksioneve, të ardhurave që krijon shteti, investimit të kryer nga shoqëritë etj.

Për dy vjet me radhë, shoqëritë e karburanteve dhe Ministria e Financave kanë qenë në “luftë” të hapur për gjetjen e një zgjidhjeje të duhur dhe të saktë që lejonte instalimin e kasës fiskale.

Vetë Shoqata e Hidrokarbureve është shprehur pro vendosjes së kasave si mjet i duhur për formalizimin e ekonomisë dhe garantimin e konkurrencës në treg, por nga ana tjetër ka kërkuar nga shteti të mos ketë diskriminime dhe se procesi i pajisjeve të jetë sa më i drejtë dhe pa kosto shtesë.

Sakaq, të dhënat përfundimtare zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganës, tregojnë se për vitin 2010, janë zhdoganuar rreth 52260 tonë karburante më shumë se një vit më parë.

Konkretisht, në vitin 2010 janë zhdoganuar 484 mijë e 391 tonë karburante nga 432 mijë e 131.4 tonë të zhdoganuara në vitin 2009.

Vlera e karburantit të importuar prek një nivel që e kapërcen shifrën e 300 milionë dollarëve në vit, ndërsa norma e taksës është 120 për qind, pra shteti fiton vetëm nga nafta të paktën po aq sa është vlera e saj e importit.

Top Channel