Rama: Populli në demonstratë

17/01/2011 14:25

Duke e cilësuar si demonstratën e njerëzve të zakonshëm ku opozita do të jetë thjesht një pjesëmarrëse si gjithë të tjerët, kreu i Partisë Socialiste Edi Rama i kërkoi kryeministrit Berisha të largohet për t’i hapur rrugë, sic tha ai, qeverisë që punon për popullin dhe jo anasjelltas.

“21 janari nuk është data e protestës së radhës të socialistëve, por dita e demonstratës së njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, burra e gra, të moshuar e të rinj, që nuk aprovojnë bllokun e pisllëqeve që mban qeveria”, deklaroi Rama.

Për liderin e opozitës, ndryshimet aktuale në kabinet s’jane gjë tjetër vecse një truk i rëndomtë për të mbajtur në këmbë atë që zoti Rama e quajti ngrehinë të korrupsionit.

“Janë një thellim në rrugën e provokimit të popullit nga ana e Saliut, që gënjen dhe përpëlitet ta hedhë lumin, për të mbajtur në këmbë një koalicion kusarie e matrapazllëku, që Saliu e quan të suksesshëm, sepse koka e korrupsionit nuk është matrapazi Meta, por ai që vetëquhet kryeministër”, pohoi Rama.

Kreytari i Partisë Socialiste theksoi se 21 janari është dita e shqiptarëve që kërkojnë një jetë më të mirë për veten dhe familjet e tyre këtu në vendin e tyre. Dhe këtë, tha Rama, s’mund ta ndalë dot as kryeministri dhe as shpura e korruptuar e njerëzve të tij.

“Të gjitha këto fyejnë thellë dinjitetin e këtij populli dhe meritojnë demonstratën e madhe popullore të 21 janarit dhe në vazhdim. Saliu duhet të dorëzojë bllokun e pisllëqeve”, shtoi Rama.

Top Channel