Pajisje e re kundër kancerit të gjirit

17/01/2011 21:20

Rreth 500 raste të reja diagnostikohen me sëmundjen e kanceri të gjirit në një vit në vendin tonë. Mjekët thonë se kjo sëmundje ka dhe një vdekshëmri të lartë për shkak të diagnostikimit të vonë.

Por falë një projekti të Bankës Botërore, në ambientet e spitalit onkologjik ka mbërritur një aparaturë e re dixhitale për kryerjen e mamografisë që bën dhe diagnozën e kësaj sëmundjeje vdekjeprurëse.

“Në dy dekadat e fundit kemi rritjen më shumë se dyfish të vdekjeve nga kanceri i gjirit, e cila është e frikshme por jo që nuk zgjidhet. Me këto metoda kemi mundësi ta ulim vdekjen”, deklaron Agim Sollaku, shef i shërbimit onkologjik.

Kjo aparaturë bën diagnozën e shpejtë dhe të saktë, por nëpermjet saj mund të kryhet edhe biopsia, cka saktëson kancerin në gji.

“Ne kemi mundësi që me këtë aparaturë të kapim lezione të vogla. Mund ta diagnostikojmë kancerin në fazat fillestare. Gjithashtu mund të bëjmë biopsinë”, shprehet Altin Jusufati, shef i shërbimit të radiologjisë.

I pranishëm në ingaurimin e aparturës së re, ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili tha se kjo pajisje do të instalohet në katër rrethe kryesore të vendit.

“Me instalimin përfundimtar mund ta bëjmë këtë konsultë në distancë dhe për pasojë i ekzaminuari nuk ka nevojë të vijë nga rrethet, por mund ta bëjë këtë përmes imazheve të cilësisë së lartë”, tha Vasili.

Kjo pajijse i përket tekonologjisë së avancuar, cka përmirëson dukshëm dhe njësoj si në spitalet perëndimore vizitën e mamografisë.

Top Channel