Kuvend, Meta sërish akuza Ramës

17/01/2011 19:25

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, në seancën e parë parlamentare për vitin 2011 ka folur për videon e tij me ish-vartësin e tij Dritan Prifti.

Ashtu si dhe në deklaratat e mëparshme, Meta ka akuzuar opozitën për montimin e videos, pavarësisht se sipas tij ajo nuk do t’ia arrijë qëllimit të saj.

“Në vend të zëvendëskryeministrit flisnin titrat e porositura. Ju jeni mësuar si regjimi i kaluar, që të fajësoni njerëzit pa fakte. Por me mua këtë ju s’do ta bëni asnjë herë. Unë nuk merrem me përgjimet tuaja, por me ligjin, me një proces juridik që do të jetë i pashembullt”, ka deklaruar Meta, i cili nuk i ka kursyer akuzat edhe ndaj Dritan Priftit, i cili ka deklaruar se ka parë Ramën të thithë kokainë.

Por, ka theksuar Meta, gjithcka do të zbardhet nga drejtësia, e cila sipas tij do të hedhë dritë mbi këtë manipulim.

“Është për të ardhur keq që ju përdorni si dëshmitar një njeri që ka akuzuar publikisht kryetarin e partisë tuaj, se e ka parë me sytë e tij duke thithur kokainë në zyrën e bashkisë. Kjo është cështja juaj, ndërsa cështja ime me publikun është e qartë dhe me drejtësinë do të jetë akoma më e qartë. Autorët e këtij montazhi kriminal do përgjigjen deri në fund”, ka pohuar Meta.

Më tej, ish-ministri i METE ka treguar disa dokumenta që tregojnë sipas tij aferat që Prifti bënte fshehurazi me Ramën.

“Shikojini këto dokumenta. Janë të firmosura. Dëshmitari juaj ia kalonte 20 përqindshin kryetarit tuaj. Përse një ministër që ka bërë një shënim shumë të qartë 1 muaj para se të bënte përgjimin, që këta kanë fituar gjyqin dhe ka pasur të bashkangjitur vendimin e apelit, provokoi zëvendëskryeministrin? Sepse kjo është vetëm një montazh, që do ta konfirmojë hetimi. Ju e bëtë këtë sepse doni të krijoni një qeveri të krimit të organizuar, por kurrë nuk do ta keni”, iu është drejtuar Meta deputetëve të opozitës.

Top Channel