Kuvend, 4 orë vetëm sherr

17/01/2011 23:00

Sesioni i ri parlamentar mund të thuhet fare mirë se ka nisur me një nga seancat më të tensionuara ndonjëherë në këto vitet e fundit. (UPDATE)

Në 20 minutëshin e parë të seancës, nuk mundi të kishte kryefjalë tjetër përvecse videos ku shfaqet Ilir Meta dhe Dritan Prifti.

Përpara se të ndodhte kjo, dy figurat kryesore politike në parlament, Gramoz Ruci dhe Sali Berisha, i treguan dhëmbët njëri-tjetrit.

“Zoti kryeministër, këtë krizë që ju e mbani në këmbë me zor, ne do ta zgjidhim njëherë e mirë. Që korrupsioni të shkulet nga rrënjët lufta kundër tij duhet të fillojë nga ju zoti kryeministër, vetëm kështu do të prishen blloqet e pisllëqeve. Ju jeni një kryeministër në ikje. Ne kemi edhe një ofertë: Ik, largohu dhe hapi rrugë vendit, hapi rrugën zgjedhjeve të parakohshme. Kjo është oferta jonë dhe ti ke vetëm një alternativë, ta pranosh dhe mos ta vonosh”, i ka thënë Ruci-Berishës.

“I nderuar zoti Ruci, kulishët e bllokut lehin dhe nuk hanë, zogjt e bunkerit nuk fluturojnë”, ka replikuar Berisha.

Momenti i vetëm kur parlamenti ra në qetësi ishte koha kur Ilir Meta tregoi një dokument të Ministrisë së Ekonomisë, kur ajo drejtohej nga Dritan Prifti, të dhjetorit 2009, në përpjekje për të dhënë variantin e tij për shifrat e përmendura në video prej 700 mijë euro dhe 7 përqindëshin.

“Unë ndërhyra për të vazhduar vendimin e Apelit dhe në këtë vendim bëhet e qartë se investimet e kryera nga aksionerët e shoqërisë kalojnë 700 mijë euro. Tani, ja ku keni shënimin e dëshmitarit tuaj. “Zoti Kraja”, i drejtohet ai sekretarit të përgjithshëm, “këta kanë fituar gjyqin, të ndikojmë për t’ua vazhduar”. Atë video e keni treguar vetëm për të rrëzuar një qeveri demokratike dhe për të ngritur një qeveri të krimit të organizuar”, iu ka thënë Meta drejtuesve të opozitës.

Pas kësaj, asgjë nuk ka qenë më normale në parlament. Të dy palët janë hedhur në revansh, megjithëse seanca është ndërprerë disa herë.

Pas tre orësh në këtë situatë, kur deputetët socialistë nuk lëshuan foltoren, demokratët kanë votuar kalendarin dhe rendin e ditës, mes të cilëve edhe dekretet e presidentit për shkarkimet dhe emërimet  e reja në qeveri.   

Top Channel