Gjinushi: Shqipëria si Tunizia

17/01/2011 12:45

Opozita ka ashpërsuar tonet duke paralajmëruar rritjen e presionit ndaj qeverisë për largimin e saj dhe hapjen e rrugës për zgjedhje të parakohshme.

Kreu i socialdemokratëve Skënder Gjinushi, duke e cilësuar kabinetin aktual si të mbytur në skandale dhe korrupsion, ka deklaruar se Shqipëria ka nevojë për një skenar të njëjtë me atë të Tunizisë.

“Shqipëria duhet të ndjekë shembullin e Tunizisë, duhet të jetë një shembull jo për të larguar këtë qeveri të korruptuar, por që edhe nesër asnjë qeveri të mos guxojë të abuzojë”, ka deklaruar Gjinushi.

Edhe Partia Demokristiane, përmes kreut Nard Ndoka i ka bëre thirrje shqiptarëve të majtë e të djathtë që t’i bashkohen demonstratës së opozitës, e cila sipas tij do të shënojë fundin e diktaturës së Berishës.

“Qeverisja aktuale ka dështuar, nuk ngjall më shpresë, ka humbur besimin, është zhytur në skandale dhe po përdor mandatin për të plackitur vendin. Ftojmë qytetarët të dalin në protestë për të larguar këtë qeveri mafioze”, ka pohuar Ndoka.

Opozita shqiptare ka paralajmëruar një demonstratë të madhe popullore më 21 janar kundër qeverisë, nisur edhe nga skandalet e fundit të korrupsionit që cuan në dorëheqjen e një ministri.

Top Channel