“Të ndryshohet sistemi”

17/01/2011 22:40

Të ftuarit në Shqip në Top Channel vijuan diskutimet për situatën politike në vend. Duke debatuar mbi rrugëdaljet nga kriza që ka përfshirë politikën shqiptare, ata u shprehën se ka ardhur koha që të ndryshohet i gjithë sistemi ynë qeverisës, e jo vetëm qeveria.

Politikani Dashamir Shehi kërkoi ndryshimin e sistemit ku forca fituese të ketë numrin e nevojshëm të mandateve për të mos patur më, sic i quajti ai, pazare politike që nisën që më 2005-n.

“Të ndryshojmë sistemin, forca politike që del e para të ketë numrin e nevojshëm të deputetëve që të mos kemi më pazare politike. Duhet të ndryshojmë Kushtetutën, të forcojmë rolin e Presidentit, të ndryshojmë ligjin për administratën lokale. Të gjitha këto mund të konsumohen me një qeveri tjetër pa qenë nevoja të shkojmë në zgjedhje. Në një klimë të qetë, që mund të mbërrijë nga një qeveri teknike, të shkojmë në zgjedhjet e parakohëshme”, tha zoti Shehi.

Ndërkohë, anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj kërkoi ndryshimin e Kushtetutës ku presidenti të zgjidhet nga populli. Sipas tij, në politikën shqiptare nuk ekziston përfaqësimi popullor dhe ftoi mazhorancën të marrë përgjegjësinë që ka përpara popullit duke u ulur në negociata me opozitën.

“Mazhoranca duhet të marrë përgjegjësinë që ka përpara popullit e këtë duhet ta bëjë me uljen në nëgociata me opozitën, nëse ka mundësi për të arritur një pakt mbarëkombëtar. Ne nuk kemi përfaqësim popullor në politikë. Unë kam mbështetur zgjedhjen e presidentit nga popullit dhe të deputëtëve pasi me listën zgjedhore të hartuar nga partitë populli nuk vendos për përbërjen e parlamentit”, tha Biberaj.

Më tej zoti Biberaj theksoi se vendit i nevojitet një pakt politik 10 ose 20 vjecar për të dalë nga tranzicioni. Ai e mbylli fjalën e tij duke thënë se përgjegjësia më e madhe për krizën bie mbi mazhorancën qeverisëse.

Top Channel