ÇEZ, për herë të dytë brenda vitit fatura e TVSH

17/01/2011 08:15

Shënohet problemi i radhës me faturat e lëshuara nga CEZ Shpërndarje ndaj abonentëve të qytetit të Fierit.

Ndonëse në muajin mars të çdo viti së bashku me faturën e konsumit të energjisë shtohet edhe taksa e Televizionit Publik Shqiptar, një shumë kjo prej 600 lekësh të reja, qytetarëve fierakë kjo u është kërkuar që ta paguajnë sërish atë në muajin dhjetor.

Raportohet se në shumë familje së bashku me faturën e konsumit të energjisë elektrike të muajit të fundit të vitit ka mbërritur edhe një shtesë prej 600 lekësh, që cilësohet si e veçantë e që thuhet se është taksa e Televizionit Shqiptar.

Kjo është cilësuar nga ana e qytetarëve si mungesë përgjegjësie e kompanisë CEZ.

Qytetarët e prekur nga taksa për herë të dytë dhe e papritur e TVSH-së kërkojnë drejtësi dhe arrijnë të artikulojnë edhe kërkesën imediate të largimit të kompanisë CEZ.

“CEZ-i po punon pa përgjegjësi. Taksën e televizorit unë e kam paguar muajin e tretë të vitit, e vërtetuar edhe në librezë. Por, në muajin dhjetor të vitit 2010 më erdhi prapë fatura në të cilën shkruhej se duhej të paguaja edhe 5 mijë lekë”, ka thënë Afiz Duka, banor i Fierit.

Një tjetër banore, Valentina Senka tregon se “Nuk ka asnjë shpjegim tjetër përveçse vjedhjes. Mua më ka ardhur fatura e TVSH-së për herë të dytë për vitin 2010, ndërsa ka dhe plot mënyra të tjera abuzimi”.

Si rregull, të paktën deri dje, taksa e televizionit publik paguhej një herë në vit, brenda tremujorit të parë dhe kushtonte 600 lekë.

Me vendimin e ri, taksa e televizionit është bërë 1200 lekë dhe paguhet për çdo muaj nga 100 lekë.

Ky vendim ka hyrë në fuqi në janar të këtij viti dhe se abonentët duhet të kenë në faturat e tyre një tarifë ekstra 100 lekë.

Por në Fier ka ndodhur e kundërta, pasi nga faturat e dhjetorit është shënuar sërish shuma 600 lekë, e paguar më parë në mars të këtij viti.

Top Channel