PD: Rama montoi videon

16/01/2011 20:05

Partia Demokratike përmes një deklarate, ndërsa akuzoi shefin e socialistëve Edi Rama për montim të video-skandalit tërhoqi vëmendjen që Top Channel të mos kthehet në atë që e cilësoi si një hanxhar të kryetarit të Partisë Socialiste.

“Jam përpara jush për një shqetësim tjetër, ai që Edvin Kristaq Rama pasi e shndërroi televizionin Top Channel në një hanxhar të tijin politik dhe nën psikologjinë e cimkave të bllokut, falsifikoi dhe montoi videon për të krijuar të ashtuquajturat prova për të dëmtuar imazhin e kryetarit të Partisë Demokratike dhe kryeministrit, zotit Berisha, madje edhe duke e akuzuar atë, tashmë duket se ka vendosur dhe urdhëruar të censurojë në mënyrë të plotë në këtë media Partinë Demokratike e deputetët e saj për deklaratat e tyre. Partia Demokratike i bën thirrje të gjithë stafit të televizionit Top Channel të mos pranojnë aplikimin e censurës, të mos censurojnë forcën politike kryesore të vendit dhe mazhorancën në Shqipëri, sepse shndërrimi i institucionit në një dritare vetëm për Edvin Ramën dhe partinë e tij, do të përbënte një dëmtim të rëndë të të gjithë imazhit dhe profesionalizmit të lirisë së mediave në vend”, tha zëdhënësja e Partisë Demokratike, Albana Mustafaraj.

Top Channel