Itali, kapet skafi me 300 kg marijuanë

15/01/2011 14:40

Një tufë cantash që në total përmbanin 300 kilogramë marijuanë janë gjetur të braktisura në një plazh të qytetit të Barit, nga policia italiane.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat e vendit fqinj. Cantat, gjithësej 13, ishin lënë fare pranë një poligoni qitjeje që përdorej nga policia.

Sipas burimeve, zbulimi i sasisë së drogës u bë pasi një njësi ajrore e policisë kishte lokalizuar në brigjet e qytetit një skaf, që dyshohet se vinte nga Shqipëria.

Më pas, pas një sërë kërkimesh në tokë, agjentët kanë arritur të gjejnë dhe sekuestrojnë sasinë e lëndës narkotike.

Burimet, të cilat i referohen policisë lokale, shtojnë më tej se dyshohet që sasia e drogës të ishte braktisur momentalisht nga trafikantët, të cilët do të ktheheshin për ta marrë.

Dyshimet se skafi ka ardhur nga Shqipëria kanë lindur pasi në bordin e tij u gjet një shishe plastike uji e llojit “Spring”, e cila prodhohet në vendin tonë.

Top Channel