Biznesi, nën ethet e zgjedhjeve

15/01/2011 08:40

Procesi zgjedhor ka përfshirë edhe sektorin e biznesit në vend. Përveç fushatës që pritet të nisë për zgjedhjet lokale, duket se kanë nisur lëvizjet edhe te biznesi shqiptar.

Pak ditë më parë, sektori i turizmit u njoh me strukturën e re drejtuese, ndërsa shumë shpejt pritet të zhvillohen zgjedhjet edhe për Dhomën e Tregtisë së Tiranës.

Në Konferencën e 3-të vjetore, anëtarët e Shoqatës Shqiptare të Turizmit (ATA), zgjodhën Enver Mehmetin si president të saj për një mandat 2-vjeçar, duke pasuar Kliton Gërxhanin, i cili nuk rikandidoi.

Mësohet se për presidentin e ATA-së pati vetëm një kandidat, dhe zgjedhja e tij kaloi formalisht, në mungesë të një gare të plotë.

Për Dhomën e Tregtisë së Tiranës, zgjedhjet e reja pritet të zhvillohen në shkurt, ku mendohet se gara do të jetë e fortë.

Kryetari aktual i Dhomës, Nikolin Jaka ka njoftuar anëtarët për zgjedhjen e bordit të ri drejtues, i cili më pas do të votojë për liderin e biznesit të Tiranës.

Top Channel