“Rebelimi” i “Maya”-s

15/01/2011 17:10

Filmi “Maya” i regjisorit Pluton Vasit është duke u shfaqur në sallat e kinemasë së rrjetit “Imperial”.

Ai trajton historinë e një piktoreje, gruaje dhe nëne, që jeton në një ambjent tepër të vogël për shpirtin e saj prej artisteje.

Një shpirt të madh e plot dashuri, që i rebelohet vendit ku jeton dhe mentalitetit që ai mbart, duke jetuar një histori jashtëmartesore.

Një rryme të freskët ajri, për të mbushur me frymë qenien e saj në një botë, që nuk përshtatet me të sajën.

Skenari i filmit është i Luljeta Lleshankut dhe Pluton Vasit, producente Vjolla Dedei. Në rolet kryesore: Rovena Lule Kuka dhe Gent Kame.

“Maya është një grua që ka studiuar pikturë me shpirt artisti që kujdeset për familjen e saj dhe përpiqet që ta bëjë jetën në qytetin e saj sa më të lumtur. Ajo nuk tradhton në mënyrë banale, por shpirti i saj është tërësisht i hapur dhe në të ka vend për shumë dashuri”, shprehet Rovena Lule Kuka, aktore “Maya”.

“Filmi Maya është një prodhim tërësisht shqiptar, ndoshta i bërë me fonde të pakta dhe për këtë arsye është xhiruar në një kohë rekord, me një ekip relativisht të vogël, por shumë kompakt, që ka punuar me shumë dashuri. Ndoshta ka qenë dashuria e vetë Maya-s që është transmetuar tek grupi i xhirimit. Është një film që sjellë një copëz të Shqipërisë, por sjellë atë copëz të Shqipërisë që mbart shumë dashuri për vendin. Nuk sjellë ato hallet e mëdhaja, por është një histori dashurie që jetohet diku në një qytezë dhe mund të shkatërrohet nga mediokriteti në çdo vend të botës sikurse edhe në Shqipëri”, thekson Vjollca Dedei, producente “Maya”-s.

“Maya” po shfaqet në rrjetin “Imperial”, në kinema “Agimi” dhe “Sheraton”.

Top Channel