Strategjia, Ruli u rikthehet arrave

14/01/2011 08:15

Ministria e Bujqësisë vendos si prioritet të saj të këtij viti zgjerimin e prodhimit të arrës.

Me kërkesë të Kryeministri Sali Berisha, ministri Genc Ruli doli dje në konferencë për shtyp duke prezantuar strategjinë e re të prodhimit dhe kultivimit të arrës, frut ky tepër i dëshiruar nga konsumatorët, por që ofrohet nga tregtarët me çmim të shtrenjtë (1500 lekë/kg të qëruara).

“E veçanta në programin e mbështetjes për vitin 2011 është futja e skemave të reja subvencionuese që favorizojnë zonat malore të vendit, në mënyrë që të nxitet prodhimi. Synohet të mbështeten disa kultura frutore, si arra apo shega”, tha ministri, duke përmendur edhe produkte të tjera, si gështenjën dhe lajthinë.

Një ditë më parë, Kryeministri kërkoi me insistim që të merren masat për zgjerimin e prodhimit të arrës dhe shegës.

Plani i Ministrisë së Bujqësisë është të shtojë fondet mbështetëse për fermerët që i kultivojnë këto produkte bujqësore. Ministri Ruli tha se fondi për mbështetjen e fermerëve do të rritet për këtë vit me 30 për qind.

“Duhet të bëjmë çdo gjë që të mbjellim në 4 vitet që vijnë së paku 30 milionë rrënjë arrore. U bëj thirrje fermerëve shqiptarë të mbjellim sa më shumë. Qeveria do të paguajë çdo rrënjë të mbjellë. Shqipëria vlerësohet në studimet më serioze europiane si vend me potencial të madh arror dhe që mund të bëhet i rëndësishëm në prodhimin e arrorëve”, tha Kryeministri dy ditë më parë në mbledhje strategjie.

Top Channel