Rama: Të ikë Berisha

14/01/2011 17:40

Duke i kërkuar me ngulm dorëheqjen kryeministrit Berisha, kreu i Partisë Socialiste Rama tha se kjo do të ishte mënyra e vetme për t’i dhënë fund një regjimi i cili, sipas tij, po kërkon çdo ditë të vërë përfund Shqipërinë dhe shqiptarët. (UPDATE)

“Në 21 janar në demonstratë secilido që mendon që liria e shtypit është liria e tij dhe se pa lirinë e shtypit do dëgjonim përrallën e përditshme të zhvillimit”, tha Rama.

Lideri i opozitës dënoi ato që i quajti kërcënime të kryeministrit Berisha ndaj drejtuesve të Top Channel dhe i bëri thirrje të gjithë shqiptarëve të reagojnë në këtë moment i cili për zotin Rama do të thotë cënim i të drejtës së informimit dhe fjalës së lirë.

“Nuk do kisha ridalë nëse Saliu nuk do i ishte adresuar televizionit TCH. Ai tha se nuk do vinte nofka, por konsideroi ‘çakall’ një gazetar të nderuar si Filip Çakulli. E konsideroi kështu si shprehje të faktit se Saliu nuk është përfaqësuesi i një qeverie të zgjedhur, por i një grupi që nuk e lë popullin të zgjedhë”, është shprehur Rama.

Për kryesocialistin, deklaratat e fundit të kryeministrit janë një presion i qartë që i drejtohet këtë herë edhe Prokurorisë së Përgjithshme.

“Edhe sot ai vazhdoi avazin fyes të një populli të tërë duke mohuar atë që shqiptarët panë me zë dhe fytyrë, atë që ndodhë çdo ditë. Është një dalje për të vënë në presion Prokurorinë, duke përsëritur disa herë se gjoja videoja na qenka montazh”, theksoi Rama.

Kryetari i Partisë Socialiste i bëri thirrje shqiptarëve që më 21 janar të dalin në protestë pavarësisht bindjeve të tyre partiake të cilat, sipas zotit Rama, nuk kanë kurrëfarë rëndësie për sa kohë, siç tha ai, kjo demonstratë ka lidhje me çdo njeri të thjeshtë dhe problemet e përditshme të tij.

“21 janari është dita e kujtdo që nuk do ta mbajë këtë turp në kurriz duke ndenjur në shtëpi edhe më i varfër dhe i kërcënuar, për t’u shkolluar dhe punuar, jetuar dhe ndërtuar familje”, deklaroi kreu i PS-së.

Top Channel