Berisha pershendet vendimin e Metes

14/01/2011 14:45

Në konferencën për shtyp të mbajtur sot, kryeministri Berisha ka sulmuar, ndonëse me tone jo të ashpra, televizionin Top Channel për transmetimin e videos Meta-Prifti.

Duke e cilësuar edhe njëherë videon si të montuar, Berisha ka deklaruar se autorët e saj do të mbajnë përgjegjësi.

Kreu i qeverisë ka nënvizuar se zëvendësi i tij Ilir Meta ka qenë i gatshëm për të dhënë dorëheqjen që dje, por e bëri këtë sot, pas faktimit të manipulimeve.

“Dorëheqja u bë e parevokueshme pasi në dritën e diellit u duk pafytyrësia totale e cimkës së transmetuar nga Top Channel. Nga dje deri sot ka ndryshuar faktimi i manipulimit të videos. Nuk është faji i Top Channel, por autori i cimkës do të mbajë përgjegjësi”, ka pohuar Berisha.

Ai ka theksuar se Top Channel është kundërshtari i tij, por jo për këtë i lejohet të bëjë, sipas tij, manipulime të tilla.

“Top Channel është kundërshtar i Berishës dhe unë e respektoj cdo kundërshtar, por s’kam sharë askënd atje. Top Channel është i autorizuar nga unë të bëjë editoriale kundër meje, por nuk mund të bëjë manipulime me të cilat u tentua direkt të hidhej kryeministri i vendit, që s’kishte asnjë lidhje”, ka deklaruar Berisha.

Top Channel