Prifti: Meta, mbrojtje mafioze

13/01/2011 21:45

Ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti ka deklaruar se gjatë marrjes në pyetje në prokurori mbi videon me Ilir Metën ka folur për të gjitha aferat për të cilat ai akuzon zëvendëskryeministrin.

Duke folur në emisionin “Top Story” në Top Channel, Prifti është shprehur se gjatë seancës, ku është pyetur në cilësinë e dëshmitarit, ka folur edhe për personat që përmenden në bisedën e regjistruar, përfshirë këtu kryeministrin Berisha.

“Depozitova sot në prokurori provën kryesore, videon të shkarkuar nga orgjinali dhe për 3-4 orë u jam përgjigjur prokurorëve për pjesë të ndryshme të videos dhe për marrëdhëniet e mia me Metën dhe personat e tjerë që përmenden në video, përfshirë kryeministrin Berisha”, ka deklaruar Prifti.

Sipas tij, ministri aktual i Energjitikës ndodhet në një pozitë shumë të vështirë dhe po mbrohet me teknika mafioze duke sulmuar të tjerët.

Gjatë rrëfimit në “Top Story”, Prifti ka folur edhe për marrëdhënien e tij me deputetin Tomë Doshi, i përmendur sot nga zëvendëskryeministri Meta.

“Iliri e ka bërë rrugë, që është një ndër karakteristikat e një njeriu mafioz, që të mbrohet duke akuzuar. Mua zotin Doshi ma ka prezantuar Ilir Meta, kam një marrëdhënie serioze shoqërore me të dhe asgjë tjetër”, ka pohuar Prifti.

Sipas tij, Meta dhe Doshi kanë bërë biznese të shumta në kohën kur i pari ka qenë kryeministër, por kohët e fundit zëvendëskryeministri i ka kthyer kurrizin.

“Tomës Meta i ka privatizuar në vitet 2000-2001 “Profarma”-t, i cili më pas i ka shitur dhe është bërë me para. Tomë Doshi i është gjendur Metës në ditë të vështira, kur nuk ishte kryeministër, kur u zgjodh, kur u shkarkua dhe kur u rizgjodh kryeministër. Ndërsa një mik i Metës dje, Bekim Halilaj e ka sulmuar Tomë Doshin pasi ka refuzuar të pijë kafe me ta”, ka treguar Prifti, i cili ka folur edhe për lidhje të Metës me personazhin e njohur si “Tan lepri”.

“Meta më akuzoi para ca kohësh se kam shkuar tek Tan “lepri”, por unë as që e njoh atë. Tan “lepri” ka qenë shoferi i gruas së Ilir Metës. Por ky është një sulm i një njeriu mafioz për të larguar vëmendjen nga e vërteta tronditëse e tij”, ka deklaruar Prifti.

Top Channel