Prifti: Berisha, në dijeni të aferave

13/01/2011 22:10

Ish-ministri Dritan Prifti deklaron se ka mbetur i zhgënjyer nga qëndrimi i kryeministrit Berisha lidhur me videon ku Ilir Meta jepte urdhëra për shpërndarjen e tenderave.

Gjatë rrëfimit në “Top Story”, Prifti ka theksuar se kryeministri ka qenë në dijeni të të gjitha aferave korruptive që kryente Meta dhe që ishin kryer nga ish-ministri i Ekonomisë Genc Ruli.

“Tek Berisha s’kam më asnjë shpresë. E informova për kontrabandën e naftës “Virginia”, denoncova truprojën e tij dhe ai nuk bëri asgjë. Kjo tregon interesat për të cilat ai është lidhur me Metën. Gjithashtu është edhe një moment tjetër që më ka lënë shije të hidhur. Kur isha ministër i cova atij një raport të kontrollit të brendshëm të METE për koncesionet e bëra nga Ruli. Në auditin e kontrollit të brendshëm ai ka gjetur gjëra të tmerrshme. Por ai e mori, ia dha departamentit të tij anti-korrupsion dhe deri më sot unë s’kam dëgjuar asgjë për atë raport”, ka treguar Prifti.

Sipas tij, parardhësi i tij në Ministrinë e Energjitikës, Genc Ruli, vetëm gjatë muajve të verës së vitit 2009 ka dhënë në mënyrë ilegale 40 koncesione.

Më tej ish-anëtari i kabinetit Berisha ka sqaruar edhe shifrën prej 7% të përmendur nga Meta në videon e publikuar nga “Fiks Fare”, duke lënë të kuptohet se Meta kishte interesa madhore për t’ua dhënë tenderin e hidrocentralit të Shushicës njerëzve të tij.

“Ai kishte 20% dhe 700 mijë euro do të ishte vetëm pjesa ime. Nuk e di me saktësi sa do të ishte pjesa e tij. Meta i kishte vënë aksionet e tij në emër të ish-shoferit. Ai vetë më ka thënë se Meta ka pjesën e tij në koncesionin e vëllezërve Tolaj”, ka shtuar Prifti.

Top Channel