SHBA: Shqipëria ta zgjidhë vetë ngërcin

30/12/2010 11:15

Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Thomas Countryman ka përsëritur apelin e tij ndaj klasës politike shqiptare për tejkalimin e ngërcit.

“Kjo është porosia jonë e përditshme për të dyja palët. Nga ngërçi aktual politik ndërmjet dy partive kryesore në Shqipëri nuk pëfitojnë qytetarët e këtij vendi”, ka deklaruar Countryman për BBC.

Sipas tij, klasa politike shqiptare duhet të tregojë se është e aftë të kalojë situata të tilla, në mënyrë që në të ardhmen zgjedhjet të jenë të pakontestueshme.

“Si vend anëtar i NATO-s dhe me aspirata të bëhet anëtare e BE-së, Shqipëria duhet të zhvillojë aftësitë për kompromise ndërmjet partive kryesore dhe aftësitë për të zhvilluar zgjedhje të drejta dhe transparente, flas këtu për zgjedhjet lokale që do të mbahen në pranverë”, ka nënvizuar Countryman.

Zyrtari i Departamentit të Shtetit ka theksuar se Shtetet e Bashkuara dhe bashkësia ndërkombëtare në tërësi nuk e kanë braktisur Shqipërinë, por e kanë lënë atë që të zgjidhë vetë problemet, duke qenë se sot ajo është një anëtare e NATO-s.

“Bashkësia ndërkombëtare nuk po tërhiqet, por Shqipëria nuk është një protektorat. Është anëtare e NATO-s. Ajo thotë se është e gatshme për anëtarësim në BE. Nëse është kështu, nuk mund të pritet ndërhyrje nga jashtë për të zgjidhur problemet të cilat udhëheqësit politikë nuk kanë patur vullnet t’i zgjidhin”, ka nënvizuar Countryman.

Gjatë intervistës zyrtari i DASH ka prekur edhe raportin e Dick Marty, duke nënvizuar se përderisa akuzat e tij nuk vërtetohen, SHBA do vazhdojnë të mbështesin qeverinë e Kosovës.

“SHBA e marrin seriozisht raportin e zotit Marty dhe mbështesin rekomandimet e tij që EULEX-i të hetojë çështjet e ngritura”, ka deklaruar Countryman.

Më tej ai ka prekur edhe kontestin e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë, duke cilësuar si të rëndësishëm takimet e deritanishme të krerëve të dy shteteve.

“Pozitive është se të dy vendet, Greqia dhe Maqedonia, po flasin në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe konfidenciale, si dhe me respekt. Dy kryeministrat janë takuar disa herë. Vetëm përmes një procesi të tillë do të jetë e mundur që të arrihet një kompromis, që pa dyshim do të ketë një lloj çmimi politik për të dy vendet”, ka shtuar Countryman.

Top Channel