Aksident në Elbasan-Peqin, tre të vdekur

26/12/2010 18:50

Përgjaken sërish akset kombëtare rrugore. Dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën në aksin që lidh qytetin e Elbasanit me Peqinin, ku si pasojë kanë gjetur vdekjen tre persona.

Mësohet se nga përplasja e një mjeti tip Volkswagen me targa greke, me një mjete tjetër të tipit Opel, dy persona, Agim Salliu, 40 vjeç dhe Bernarda Dibra, 18 vjeç kanë gjetur vdekjen menjëherë, ndërkohë që Alban Hokja 22 vjeç ka ndërruar jetë në spital. Tre shtetas të tjerë, bashkëudhëtarë të viktimave ndodhen ende në spital në gjendje të rëndë.

Policia ka mbërritur në vendngjarje për të saktësuar shkaqet që çuan në aksidentin e rëndë. Ndërkohë që pista e parë mbetet ajo e shpejtësisë tej normave të lejuara dhe e terrenit të rrëshqitshëm të rrugës si pasojë e reshjeve të shiut.

Ky ishte aksidenti i katërt brenda 24 orëve të fundit, që përgjak edhe më tej rrugët shqiptare në këto ditë festash duke çuar në 8 numrin e viktimave.

Top Channel