Koreja e Veriut kërcënon me sulm

17/12/2010 11:05

Koreja e Veriut kërcënoi me një sulm të ri, nëse qeveria e Seulit do të
vendosë të përfshijë në stërvitjen e saj ushtarake të 18-21 dhjetorit,
bombardimin e një ishulli të pabanuar të pretenduar nga të dyja palët.

Lajmi u bë i ditur nga Agjensia e Lajmeve “KCNA” gjatë mëngjesit. Më parë gjatë nëntorit, një sulm i veriorëve mbi një ishull shkaktoi vdekjen e katër shtetasve koreanojugorë.

Pyong-jangu pretendoi se sulmi i tij i fundit u motivua nga provokimet e Seulit. “Një stërvitje ushtarake në një territor që ne e konsiderojmë si pjesë të shtetit tonë, do të përbënte një provokim të patolerueshëm. Në një situatë të tillë do të përgjigjeshim në të njëjtën mënyrë”, shkruante “KCNA”.

Mbetet për t’u parë qëndrimi i Koresë së Jugut, e cila ka premtuar një reagim më agresiv në të ardhmen, ndaj çdo sulmi që do të bëhet në territorin e tij. Vetëm një ditë më parë, Agjensia Koreanojugore e Lajmeve raportoi se shteti komunist është duke hapur gropa në thellësi të tokës, për të zhvilluar teste të reja bërthamore.

Top Channel