Të këndosh në skenë jo domosdoshmërisht ke studiuar apo je diplomuar për degët që kanë lidhje me muzikën.

Ka shumë këngëtarë të skenës së muzikës së lehtë shqiptare që studimet e tyre i kanë përfunduar për një profesion krejt të kundërt.

Jo vetëm Luan Zhegu apo Mira Konçi, të dy të diplomuar për ekonomi, apo Aurela Gaçe për regji dhe Bleona Qerreti për aktrim. Dy prej këngëtareve tona na japin një shembull të tillë:

Mefarete Laze dhe Eneda Tarifa. Secila prej tyre ka argumente te ndryshme per kete fenomen.

Mefarete Laze ka devijuar nga profesioni i saj me diplomën e gjuhë-letërsisë. Mefaretja njihet jo vetëm si këngëtare por atë shumë e thërrasin edhe mësuese.

“Unë kam punuar 25 vjet mësuese. Kam nxjerrë mjaft studentë të shkëlqyer”, shprehet Mefaretja.

Diploma e saj nuk buron nga dëshira e saj për të ushtruar profesionin e një mesueseje por drejtimi që ajo mori ishte një detyrim që ia dha sistemi i dikurshëm.

“Konkurrova në Konservator por nuk u pranova. Gjithsesi më dhanë mundësinë të vazhdoja për Gjuhë-Letërsi”, tregon Laze.

Ndërsa Eneda Tarifa, një këngëtare e dalë në skenë në vitet e demokracisë ka një argument tjetër përse ajo është diplomuar për filozofi.

“Mund të vazhdoja të kënduarit edhe pa shkollë por mendova që shkollën ta bëja dhe muzika të ishte plus. Preferova filozofinë”, thotë Eneda.

Tashmë Eneda, është fokusuar tek kënga, diploma e saj ka kohë që nuk vihet në funksion të saj por do të vijë një ditë thotë ajo që do të mbështetem tek profesioni universitar: “Mbase në një të ardhme kur zëri im mund të mos jetë si tani është mirë që të drejtohem në diplomen time.”

Mefaretja na përmend një fakt që nuk duhet anashkaluar. Që këngëtarët e këngës së lehtë shqiptare patjetër do të jenë të arsimuar për një degë që nuk ka lidhje me këngën pasi sistemi arsimor nuk të ofron këtë zhanër të muzikës: “Në Konservator nuk ka degë kanto për muzikën e lehtë. Shkolla jonë ka qenë jeta.”

Nëse nuk arsimohesh dot për muzikë, këngën e lehtë duhet ta ushtrosh dhe ta perfeksionosh në mënyrë private duke përjashtuar kushtin kryesor që është një zë i mirë, siç ka vepruar edhe Eneda.

Në skenën shqiptare gjithnjë kemi parë këngëtarë që kanë shkëlqyer dhe pavarësisht arsimit që ata kanë marrë nuk u kanë munguar çmimet.

“Nuk jam pishman që nuk kam diplomë për këngën sepse vetë kënga më ka dhënë çmime”, përfundon Mefaretja.

Top Channel