Indi-Kinë, pakt 100 miliardë dollarësh

16/12/2010 17:00

India dhe Kina kanë nënshkruar një marrëveshje tregtare me vlerë 100 miliardë dollarë, që synohet të realizohet në vitin 2015.

Dy palët kanë rënë dakord të marrin masa për të promovuar rritjen e eksportit të produkteve indiane në Kinë, me qëllim uljen e deficitit tregtar të Indisë.

Disa kompani kanë nënshkruar tashmë marrëveshje biznesi me vlerë 16 miliardë dollarë, duke i dhënë një stimul të fuqishëm ditës së parë të vizitës 3-ditore të kryeministrit kinez Wen Jiabao në Indi.

I fundit nga një numër i madh liderësh botërorë që kanë vizituar së fundmi Indinë, Jiabao shoqërohet në këtë vizitë nga 400 biznesmenë të fuqishëm kinezë.

Kina është partneri kryesor tregtar i Indisë. Dy vendet kanë rënë gjithashtu dakord që të zgjerojnë bashkëpunimin në infrastrukturë, ekologji, teknologjinë e informacionit, telekomunikim dhe financë.

Përgatiti: Genc Frashëri

Top Channel