Blanko-Dinamo, “divorci” në prag

14/12/2010 13:30

Luis Manuel Blanko dhe Dinamo janë në prag të “divorcit”. Ecuria e dobët e bluve, ku gjatë këtij sezoni nuk janë shfaqur si një skuadër e denjë të mbrojë titullin kampion, por edhe problemet financiare të klubit janë dy prej arsyeve kryesore për lamtumirën e parakohshme të trajnerit argjentinas.

Humbja në shtëpi me Teutën, që ka rritur edhe më shumë diferencën nga Flamurtari kryesues i Kategorisë Superiore, duket se rezultoi fatale për drejtuesin e stolit. Tashmë, ai ka humbur mbështetjen dhe besimin e krerëve të klubit. Ndarja do të zyrtarizohet sapo të nisë pauza dimërore e kampionatit.

Sipas kalendarit, argjentinasit i mbeter për të zhvilluar ndeshjen e së hënës në fushën e Shkumbinit (java e 15) dhe sfidën me Vllazninë (java e 16). Në këtë moment pritet të shfrytëzohet një klauzolë për prishjen e kontratës me Blankon. Pika e përcaktuar gjatë verës, e cila parashikonte ndërprerjen e njëanshme të marrëdhënieve nga klubi në rast të rezultateve të dobëta, i krijon lehtësinë Dinamos që të mos e dëmshpërblejë trajnerin. Pesë ndeshje pa fitore janë alibia më e mirë e presidentit Besnik Sulaj dhe bashkëpunëtorëve të tij, për të justifikuar vendimin për shkarkimin. Një ecuri jashtëzakonisht e dobët, që nisi prej javës së 10 të kampionatit, me barazimin 3-3 përballë Laçit në kryeqytet. Më pas blutë kanë regjistruar dy humbje radhazi në fushat e Skënderbeut dhe Flamurtarit, dy rivaleve direkte për titull, të cilat u shoqëruan nga një barazim në Kavajë dhe humbja e së dielës me Teutën.

Vetëm 2 pikë të grumbulluara në 5 ndeshjet e fundit (nga 15 të mundshme) janë të pamjaftueshme për të kënaqur “oreksin” dhe ambiciet e dinamovitëve. Përpara periudhës së “zezë” skuadra renditej e para në klasifikim: me 22 pikë në 9 ndeshje, tri më shumë se Skënderbeu, ndjekësi më i afërt. Tashmë situata është përmbysur. Dinamo detyrohet të ndjekë: blutë renditen të tretët në kuotën e 24 pikëve, 7 më pak se Flamurtari kryesues dhe 3 më pak se korçarët që janë të dytët. Po të krahasosh statistikat e këtij sezoni, me ato të edicionit të kaluar, gjendja duket edhe më alarmante. Në fakt, në javën e 14 të kampionatit 2009-2010, Dinamo kishte 38 pikë (12 më shumë se Besa e vendit të dytë) dhe praktikisht e kishin futur titullin në kasafortë. Me llogari të thjeshta kupton se në këtë edicion, në bilancin e Dinamos mungojnë 14 pikë.

Por, largimi i Blankos bëhet edhe për një tjetër arsye: ai është një peshë e madhe për financat e klubit. Rroga e lartë e trajnerit, edhe pse nuk është publike, e rëndon buxhetin e 18 herë kampionëve, që këtë sezon ka shfaqur probleme ekonomike. Në fakt, disa lojtarë dinamovitë vazhdojnë të mos paguhen prej muajit gusht dhe shkurtimi i argjentinasit nga borderoja do t’i jepte pak frymëmarrje arkës së klubit. Në momentin kur largimi i Luis Manuel Blankos do të bëhet zyrtar, ai do të mbahet mend si një tjetër teknik i afruar me bujë dhe që ka dështuar te blutë. Në dekadën e fundit, trajnerët e huaj kanë rezistuar vetëm disa muaj te Dinamo, për t’u larguar më pas. Historia nisi në vitin 2002 me rumunin Aurel Cikleanu (nëntor 2002-maj 2003), për të vazhduar me argjentinasin Pedro Pablo Paskuli (janar 2005-mars 2005), kroatin Luka Bonaçiç (gusht 2005-gusht 2005, vetëm 10 ditë), kroatin Ivan Kataliniç (nëntor 2005-janar 2006), sërish Luka Bonaçiç (janar 2006-shkurt 2007), argjentinasin Marselo Havier Zuleta (qershor 2008-korrik 2008), kroatin Zlatko Daliç (korrik 2008-shkurt 2009).

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA