Pacientët me HIV/AIDS: Vuajmë për ilaçe

02/12/2010 08:30

Ministria e Shëndetësisë, në buxhetin e saj duhet të bëjë një planifikim të ri për barnat me të cilat trajtohen pacientët me HIV/AIDS.

Projekti i cili u siguronte pacientëve me HIV/AIDS barnat ARV në fund të muajit dhjetor mbyllet, e kështu Ministrisë së Shëndetësisë dhe qeverisë bashkë u duhet të gjejnë një zgjidhje.

Problemin e ka bërë publik Shoqata e Mbrojtjes së Pacientëve me HIV/AIDS.

Sipas kryetares së kësaj shoqate, Komisioni i Shëndetësisë duhet të marrë masa për të siguruar zbatimin e ligjit aktual, duke e konsideruar një mekanizëm mbrojtës, ndihme, kujdesi e mbështetjeje për përmirësimin e jetës së personave që jetojnë me HIV.

Shëndetësia duhet të sigurojë vazhdimësinë e trajtimit me medikamente ARV dhe përmirësimin e skemës së mjekimit si dhe hartimin e një plani financiar për mbulimin dhe rimbursimin e medikamenteve për infeksionet oportuniste si dhe një mekanizëm monitorimi për shpërndarjen e tyre.

Dje, në Ditën Ndërkombëtare kundër HIV/AIDS, mjekët e Institutit të Shëndetit Publik kanë saktësuar se, gjatë këtij viti janë identifikuar 41 raste të reja, nga të cilët vetëm tre kanë kryer analizat me iniciativën e tyre.

“Këtë vit, 34 për qind e rasteve të reja kanë qenë femra të infektuara, shifër që është më e lartë se sa mesatarja. Në total mbetemi në shifra të ulëta të testit vullnetar”, – tha specialistja e Institutit të Shëndetit Publik, Marjeta Dervishi.

Sot, në vendin tonë, rreth 34% e rasteve të reja janë femra, ndërsa 21 janë fëmijë, 16 prej të cilëve e kanë marrë virusin nga nënat.

Vetëm 75% e rasteve janë zbuluar nga testimet vullnetare, ndërkohe që 53% e rasteve tashmë janë në stadin e AIDS-it.

Pothuajse 3 dekada që nga fillimi i epidemisë të dhënat tregojnë se epidemia e AIDS-it është frenuar dhe po ndryshon kursin e saj. 65% e rasteve i përkasin grupmoshës 25-45 vjeç, e cilësuar grupmoshë seksualisht aktive.

Top Channel