Nënshkodra, ende në rrezik nga prurjet

02/12/2010 20:35

Këtë radhë varka nuk duhet të ketë më rolin e transportuesit, por më shumë se kaq. Të ketë fuqinë që të bindë këta njerëz se nuk do të ketë më një situatë të tillë.

Shumë prej tyre nuk pranojnë të dalin prej shtëpive. Ankohen se nga janari deri në këtë dhjetor duhet të ishin marrë masat për përmirësimin e kësaj gjendjeje. Ajo që shpjegojnë është se dëmi i kësaj here nuk ka një çmim, sepse shtëpitë e Trushit kanë më tepër se 1 metër ujë dhe se ato u mbuluan në pak minuta, aq sa dhe lajmërimi nga organet kompetente nuk u hynte më në punë.

Të gjithë banorët e fshatrave Bërdicë dhe Trush, gjatë gjithë verës kanë meremetuar shtëpitë, kanë blerë orendi të tjera, dhe kane shtuar bagëtite me shpresën se përmbytjet do të ndalin. Por kjo e dhjetorit 2010, është akoma edhe më e rëndë.

Tashmë askush nuk ankohet se nuk ka ushqime për vete, apo për bagëtinë, nuk ka ujë, apo kërkon dëmshpërblim, për dëmet. Të gjithë duan atë përgjigje nëse përmbytjet do të ndalin ndonjë ditë.

Pamjet filmike duket se janë të njëjtat me ato të fillimvitit për shkak se dhjetra hektarë tokë janë përmbytur, por situata nuk është më e njëjtë.

Pozitive në këtë situatë mbetet vetëm forca e armatosur, e cila me kaq përmbytje që po përballon brenda këtij viti ka arritur qëllimin e vënë edhe nga vetë NATO, për përballimin e situatave emergjente.

Top Channel