Rama konfirmon mocionin ndaj Topallit

24/11/2010 18:45

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka konfirmuar pasditen e sotme mocionin e partisë së tij ndaj kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli.

Në një deklaratë për shtyp, Rama është shprehur se mocioni në fjalë është gjithëpërfshirës dhe nuk ka të bëjë vetëm me politikën e kryetares.

“Mocioni është një aksion politik edhe shumë më i gjerë se thjesht kryetarja Topalli”, ka pohuar Rama, i cili ka bërë të ditur se ky mocion shoqërohet nga një tjetër mocion dhe një rezolutë, që kanë të bëjnë me cështjen e integrimit të vendit.

Sipas Ramës, është jetike shqyrtimi i kritikave të bëra në opinionin e KE, që i refuzoi Shqipërisë statusin e kandidatit.

“Grupi parlamentar socialist ka dorëzuar në Kuvend një mocion debati për dështimin e marrjes së statusit të kandidatit dhe një rezolutë për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga raporti i KE-së. Këto përbëjnë detyrime madhore që gjithësecili të kryejë detyrat e veta, në mënyrë që Shqipëria të mos humbasë trenin tjetër për në BE”, ka deklaruar Rama.

Më tej lideri i opozitës ka paraqitur edhe pikat e tjera ku mbështetet mocioni, duke e vënë theksin tek nevoja e zgjidhjes së krizës politike përmes transparencës së zgjedhjeve që duhet ta bëjë Parlamenti, institucion ky që sipas tij zë një vend të vecantë në kritikat e raportit të KE.

“Parlamenti duhet të bëjë transparencë, të hapë kutitë e materialeve zgjedhore dhe t’u japë mundësi shqiptarëve që të shohin realitetin, duke dhënë edhe mundësinë për punën e përbashkët për mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme në përputhje me standartet europiane”, ka nënvizuar Rama.

Ndërsa një pikë tjetër e rëndësishme për kreun e PS është pavarësia kushtetuese dhe financiare e sistemit të drejtësisë, për të cilat opozita është gati të kontribuojë me një plan.

“Ne jemi të gatshëm të kontribuojmë me një strategji gjithëpërfshirëse në të ardhmen dhe me një qasje evropiane sot, që do të na sillte në realizimin e një reforme për zgjidhjen e problemeve të drejtësisë”, ka deklaruar Rama.

Pikat e tjera të cekura nga lideri i opozitës kanë qenë: lufta kundër krimit dhe korrupsionit, “që mund të bëhet me heqjen e barrierave hetimore”; cështja “e pazgjidhur” e pronave, që sipas tij mund të zgjidhet me një proces jurisprudence gjithëpërfshirës; liria e mediave “që kërcënohet nga presioni i pushtetit”; dhe zbatimi i kartës evropiane për qeverisjen vendore, “me qëllim kthimin e kushtetueshmërisë në marrëdhëniet mes dy pushteteve”.

Top Channel