Trafiku, përgjegjësi e policisë

23/11/2010 19:45

Një nga ekspertët më të njohur në fushën e sigurisë, Mitat Tola, u shpreh në një intervistë për Top Channel, se policia e qarkullimit rrugor duhet të sqarojë përgjegjësitë e saj për mungesën e policëve në kryqëzimet kryesore për tre orë dhe atë çfarë ndodhi me trafikun e kryeqytetit mbrëmjen e së hënës.

“Një bllokim i tillë prej 3-4 orësh nuk kishte ndodhur asnjëherë. Unë mendoj se ka ndodhur për një shkak banal. Policia rrugore ka qenë në mbledhje dhe ka gjetur një moment të papërshtatshëm”, është shprehur Tola.

Ai deklaron se, përveç përgjegjësive të saj për trafikun, policia ka lënë të pandëshkueshëm një pjesë të mirë të drejtuesve të mjeteve të padisiplinuar që edhe gjatë këtij bllokimi vështirësuan akoma edhe më shumë situatën.

“Të gjithë shoferët dje ishin vënë në garë për të penguar njeri-tjetrin duke bllokuar njeri-tjetrin. Kjo ka shkaqe të thella të një mosndëshkueshmërie. Ka një pjesë të shoferëve që sillen si drejtues të rrugës pasi nuk kanë frikë nga ndëshkimi”, deklaron Tola.

Trafiku i Tiranës mbetet problematik për ekspertin Tola, edhe në ditë normale, por pa një bashkëpunim mes bashkisë dhe policisë, mendon ai, nuk do të ketë një zgjidhje.

“Tirana ka probleme me trafikun me sinjalistikën, me rrymën e trafikun. Nuk është bërë ende një përpjekje për t’u ulur bashkë dhe arritur një marrëveshje. Ka dy forca të ndryshme që ikin në rrugë të ndryshme që sjellin medoemos konflikt”, shprehet Tola.

Top Channel