“Ismail Qemali”, gati zgjedhjet e reja

21/11/2010 10:55

Zyrtarisht, sipas ligjit të arsimit të lartë, menjëherë pas largimit të rektorit në universitetet publike bëhen edhe zgjedhjet e reja. Në universitetin e Vlorës “Ismail Qemali”, zgjedhjet pritet të zhvillohen në datë 23 dhjetor.

Paraprakisht do të bëhen publike kandidaturat, do të fillojë fushata e në fund do të jenë strukturat drejtuese të këtij universiteti që do të propozojnë.

Në zgjedhje do të marrin pjesë edhe monitorues apo vëzhgues nga Ministria e Arsimit. Konkretisht, ish-rektori Shaska që prej dy ditësh quhet zyrtarisht i larguar e deri në datë 23 të gjitha kompetencat mbeten në dorë të Eustrat Zhupës.

Menjëherë pas korrespondencës së Tanush Shaskës dhe ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj, në mënyrë elektronike ish-rektori ka deklaruar një lum akuzash lidhur me zgjedhjet e reja në universitetin e Vlorës.

Ndërsa priten zgjedhje të reja, ish-rektori Shaska ka bërë një seri deklaratash, akuzash e parashikimesh për Partinë Demokratike dhe kryeministrin, që sipas tij ndërhyn edhe në këto zgjedhje.

Ishin paralajmëruar protesta e bojkot mësimi në Universitetin e Vlorës, por në fakt asnjëra nga këto nuk ka ndodhur. Nuk është zhvilluar asnjë protestë e nuk është njoftuar për asnjë tubim paqësor.

Për më shumë, i vetmi shqetësim i cili është bërë edhe tema e ditës lidhet me zhvillimin e zgjedhjeve të reja dhe jo me bojkotin e mësimit. Më të rralla kanë qenë e-mailet dhe korrespondenca mes studentëve, krahasuar me dy ditët e para të dorëheqjes së rektorit.

Sqarimi

Ministria e Arsimit ka pranuar dorëheqjen e ish-rektorit dhe ka sqaruar se tanimë Universiteti i Vlorës, në bazë të ligjit të arsimit dhe lartë dhe në bazë të procedurave që njeh ligji, duhet të zhvillojë zgjedhjet e reja për administratorin e ri të institucionit të lartë arsimor.

Data e zgjedhjeve është vendosur 23 dhjetori. Pavarësisht dashamirësisë e formaliteteve në korrespondencën e Shaskës dhe Tafajt, dje ish-rektori ka bërë deklarata të ashpra për drejtuesit e rinj të universitetit.

Tanush Shaska, i njohur si rektori revolucionar, por edhe i konsideruar si drejtuesi që administronte problemet e Universitetit të Vlorës më shumë me korrespondencë, pritet të përfshihet në politikë.

Top Channel