Dita e fëmijëve, Topalli: Janë pasuria e kombit

20/11/2010 18:30

Në ditën ndërkombëtare të fëmijëve, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka pritur në sallën e seancave plenare një grup fëmijësh të komunitetit rom.

Zonja Topalli u tha fëmijëve se Kuvendi është mbi të gjitha shtëpia e fëmijëve, të cilët janë e ardhmja e shoqërisë dhe se për këtë arsye në Kuvend janë miratuar shumë nisma ligjore, që synojnë përmirësimin e jetës jo vetëm të fëmijëve, por të të gjithë shqiptarëve.

Kryeparlamentarja i cilësoi fëmijët si pasuria e një kombi dhe se investimi për fëmijët është investimi më i mirë për të ardhmen e kombit.

Gjatë takimit me fëmijët, zonja Topalli u foli atyre për Traktatin Ndërkombëtar të të Drejtave të Fëmijëve, i miratuar në parlament, si një instrument i rëndësishëm ligjor, që i trajton fëmijët si të barabartë, pavarësisht nga vendi ku lindin apo gjuha që flasin.

Duke ju referuar heqjes së vizave me vendet e Bashkimit Europian, kryetarja e Kuvendit u shprehu gëzimin e saj se tani fëmijët shqiptarë, bashkë me prindërit e tyre, do të kenë lirinë të udhëtojnë në këto vende, duke u njohur me kulturën dhe traditat e kombeve europiane.

Top Channel