Bllokohet një automjet me naftë të vjedhur

20/11/2010 18:05

Vjedhjet e naftës duke ndërhyrë në linjën e tubacioneve që e transportojnë për në Kombinatin e Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh, janë një fenomen në rritje gjatë muajve të fundit.

Pasditen e së premtes policia ka arritur të bllokojë një automjet, i përshtatur si autobot brenda karrocerisë, të mbushur me naftë.

Mjeti është pa targa dhe është kapur prej policisë së Mallakastrës pikërisht në çastin kur ishte mbushur me naftë, sasi e cila ishte vjedhur nga tubacionet e transportit të saj në vendin e quajtur Kthesat e Viskoes, buzë lumit Gjanica ku dhe kalon tubacioni kryesor i naftës nga vendburimi i Marinzës në drejtim të kombinatit të naftës në Ballsh.

Mjeti është braktisur më pas prej personave ende të paidentifikuar, ndërsa policia ka ngritur postoblloqe në rrugën kryesore Fier-Ballsh.

Deri në orët e para të mëngjesit të ditës së shtunë, policia nuk ka arritur të identifikojë autorët e kësaj ngjarjeje.

Top Channel