Berisha: Nuk ikim nga Afganistani

20/11/2010 19:45

Kryeministri Sali Berisha, i cili përfaqësoi Shqipërinë në samitin e NATO-s në Lisbonë, ka shprehur jo vetëm me votë përkrahjen për konceptin e ri strategjik të Aleancës, koncept që përcakton reforma dhe riorganizim të strukturave ushtarake dhe civile të NATO-s.

Duke qenë se Afganistani dhe përballja e Aleancës me terrorizmin janë dy sfidat kryesore të NATO-s, kryeministri Berisha deklaroi nga Lisbona se Shqipëria nuk do të largohet përpara kohe.

Madje mund të rrisë praninë e saj, duke ruajtur njëkohësisht edhe nivel të njëjtë të buxhetit për ushtrinë shqiptare.

“Shqipëria nuk do të pakësojë buxhetin e saj për forcat e saj të armatosura, sepse ato janë në një proçes modernizimi të pandërprerë dhe kjo është e domosdoshme. Së dyti, Shqipëria nuk tërhiqet nga Afganistani. Atje është së bashku me Aleancën dhe do të qendrojë atje përsa kohë të ketë nevojë. Përkundrazi, Shqipëria do të shqyrtojë që, gjatë ditëve që vijnë, të mund të rrisë edhe kontributin e saj civil në këtë vend, cili ka një rëndësi të jashtëzakonshme për paqen, stabilitetin në botë dhe luftën kundër terrorizmit”, theksoi Berisha.

Gjatë punimeve të samitit, i cilësuar si një nga më të rëndësishmit në 20 vitet e fundit, kryeministri Berisha ka zhvilluar takime me disa nga personalitet më të rëndësishme botërore, takime që siç tha kryeministri mundësohen lehtësisht gjatë një samiti të këtij niveli.

Vetë kryeministri veçon takimin me presidentin Barack Obama.

“Pata një bisedë të shkurtër, shumë të përzemërt me presidentin Obama, i cili, tregoi një interes të veçantë, së pari, për reformat dhe arritjet e tyre në Shqipëri, së dyti, për çfarë ofron Shqipëria, potencialet e saj energjitike, ekonomike, por edhe turistike, sepse e njoha presidentin Obama me faktin që Shqipëria nga një vend që nuk ekzistonte në hartën e turizmit botëror, këtë vit ka marrë rreth 3.5 milionë turiste dhe ai pati vlerësimin më të madh”, tha Berisha.

Kryeministri vlerësoi si shumë të rëndësishme edhe takimet me disa presidente dhe kryeministra europiane jo vetëm se dy prej tyre kanë konfirmuar ardhjen në Tiranë, por se me ta ka diskutuar siç tha çështjen e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, pasi tani mbetet që vetëm nëntorin e ardhshëm Shqipëria ka një mundësi për të marrë statusin e vendit kandidat dhe ç’është më e rëndësishmja të marrë një datë për hapjen e negociatave për anëtarësim.

“U takova me kancelaren Merkel. Diskutuam dhe po diskutojmë më të problemet e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe vizitën e saj të ardhshme në Shqipëri. Me presidentin Sarkozi diskutuam për vizitën e tij të ardhshme në Shqipëri dhe presidenti mbetet i vendosur të realizojë këtë vizitë, sikundër kancelarja. Një bisedë të shkurtër pata me kryeministrin Kamerun, i cili shprehu vlerësimin e tij për praninë e Shqipërisë në Afganistan”, deklaroi Berisha.

Në disa intervista për mediat ndërkombëtare, kryeministri Berisha e vlerësoi Ballkanin Perëndimor një çështje ende të pambyllur deri në anëtarësimin e plotë të vendeve të rajonit në Aleancë. Përsa i përket Kosovës, kryeministri Berisha konsideron se NATO duhet të mbetet e pranishme atje për të inkurajuar dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, gjë për të cilën Shqipëria është shprehur e gatshme të japë ndihmën e saj.

Top Channel