Balta është tradita shekullore e këtyre njerëzve.

Për fisin Fusha, një bashkësi njerëzish që jetojnë në fshatin Farkë, poçaria është një zanat shumë i lashtë, që burrat ia kanë pasuar njëri-tjetrit ndër breza.

Puna me baltën, dhënia e formave, dashuria e çdo gjesti. Këta njerëz janë përcjellës të një tradite që u ofron shumë për t’u mburrur.

“S’mbahet mend sa e lashtë është tradita. As gjyshi e as stërgjyshi. Mbase ka filluar para 500-600 vjetëve”, tregon Fadili

Në këtë punishte modeste, e cila përveç zanatit, trashëgon ende veglat e përdorura që në kohë të vjetra, burrat vijojnë të ushtrojnë zanatin e poçarisë, që me gjithë lashtësinë e gjenezës, nuk ka shkuar dot kohe as sot.

 “20 vjeç e nisa zanatin. U binda që ky zanat kishte vlera. Lashë emigracionin për t’iu përkushtuar poçarisë”, thotë Clirimi.

Edhe sikur të dëshironin, ata ndjejnë se nuk munden të bëjnë zanat tjetër më të mirë, sesa ky që ka brumosur tradita e baltës në fisin e tyre. Fiqiriu, një prej djemve të Fushajve, tregon se nuk ka pinjoll të derës së tyre të papërfshirë në zanatin e poçerisë.

 “E para e kemi në gjak dhe punojmë si vëllazëri në këtë zanat”, shprehet Fiqiriu.

Prej duarve të tyre dalin tavat, gjypat dhe poçet e baltës, aq të njohura në traditën tiranase të kuzhinës. Për ta, asgjë nuk krijohet prej hiçit.

“Po nuk pate pasion, nuk e ushtron dot këtë zanat. Do durim, por është i bukur”, vazhdon Clirimi.

Balta duhet të marrë formën e shpirtit. Pa të nuk lind asgjë prej duarve të poçarëve antikë.
 
“Kjo punë bëhet me dëshirë, kënaqësi. Mundohu sa të duash. Është tamam art, nuk është thjesht punim balte. Duhet t’i japësh pak dëshirë”, shpjegon Fiqiriu.

Dhe për këtë dëshirë, tradita vijon të ruhet e pandryshuar edhe në formë, si më parë. Çdo punim është artizanal nga akti fillestar deri tek akti final. Punimi nis e mbaron tek duart.

“Mundësi të tjera dhe vegla të tjera kemi, por nuk prodhohet tava e baltës me makineri se del difektoze. Ne e vazhdojmë në mënyrë tradicionale punën”, shton Fiqiriu.

Çdo punim, mbetet një objekt original i serisë së prodhuar prej duarve të Fushajve. Edhe fabrikimi i tyre, u besohet vetëm kushteve natyrore.

“Tava për 5 persona do 15 minuta. Thahet në diell për 10 ditë pastaj futet në furrë dhe piqet”, shpjegon procesin Clirimi.

Besnikë e të kënaqur prej traditës shekullore, punonjësit e baltës s’u janë dorëzuar pengesave e vështirësive, që ndoshta në dukje nuk mund të kuptohen lehtë.

“Kemi vështirësi. S’është aq e thjeshtë. Do dhe kushte shumë. Megjithatë ne me këtë jetojmë”, shprehet Fiqiriu.

I bindur përpara traditës së të parëve, edhe Çlirimi dëshiron ta çojë më tutje trashëgiminë e zanatit që identifikon gjithë brezat e fisit të tij: “Kur babai ta le një zanat është kënaqësi dhe ne kemi kënaqësi t’ia lemë brezit të ardhshëm.”

Megjithë ambiciet e një kohe moderne, që të ofron mundësi të pafundme jetese, Edisoni është një prej të rinjve të fisit që sapo u ka dorëzuar të epërmve, kandidaturën e poçarit të ardhshëm: “Më pëlqen se kam parë gjyshin, dajën duke bërë enë balte. Thashë t’i futem zanatit. Tani thjesht jam duke mësuar, por më  përlqen ta vazhdoj.”

Nëse sot historinë njerëzit e shkruajnë mbi letër, këta burra kanë përdorur baltën për të lënë gjurmë. Ata nuk dëshirojnë ta braktisin traditën që përvec fitimeve, i ka garantuar fisit të tyre një emër të nderuar. Atë të poçarit.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel