Vizat, Gjipali: Të sqarohen arsyet e vizitës

15/11/2010 21:30

Aktivisti Gledis Gjipali ka deklaruar se qytetarët shqiptarë që duan të udhëtojnë drejt vendeve të BE pas heqjes së vizave duhet të plotësojnë disa kritere.

Duke folur në emisionin “Shqip” në Top Channel, Gjipali ka sqaruar se pasagjerët shqiptarë duhet të japin disa garanci financiare dhe të sqarojnë motivin e vizitës së tyre.

“Duhet t’i përgjigjemi policit kufitar për dokumentat dhe cështjet financiare. Për ata që do intervistohen pyetja kryesore është: Me cfarë e siguroni qëndrimin në vendet e BE? Nuk do të thotë se duhet të kesh një shumë të caktuar për të kaluar kufirin, por duhet të përcaktohet qëllimi i vizitës”, ka deklaruar Gjipali.

Sipas tij, udhëtarët nuk do të kthehen mbrapsht nëse ata do të kenë vetëm biletën e vajtjes, por duhet të kenë parasysh periudhën e qëndrimit të lejuar, që është 90 ditë.

“90 ditë mund të jetë qëndrimi maksimal në zonën Schengen. Nuk do të ketë kthime nëse udhëtari do ketë vetëm biletën e vajtjes, mjafton që në raste të tilla të jepen detajet për vizitën, njerëzit që do takojë atje dhe gjëndjen financiare”, ka shtuar Gjipali.

Top Channel