Pasaportat biometrike, radhë aplikuesish

11/11/2010 10:10

Lajmi i mirë i liberalizimit të vizave i ka bërë shqiptarët te drejtohen te gjendjet civile, për të aplikuar për pasaportë biometrike.

Në njësinë bashkiake numër 1, 2, 3 dhe 7, çdo ditë raportohen radha të gjata kërkesash, fluks për pajise me dokumentin që do t’u hapë dyert shqiptarëve në të gjithë zonën Shengen.

Për më shumë, atyre që u ka ardhur shpirti në majë të hundës nga kërkesat, sqarimet e fluksi i qytetarëve janë punonjësit e minibashkive.

Nga mëngjesi në darkë duhet të presin, të përcjellin e të sqarojnë banorët e lagjes, emigrantët, personat që interesohen për kriteret, tarifat e përshpejtimit të pasaportave e gjithçka që ka lidhje me lëvizjen e lirë.

Por sipas minibashkive të kryeqytetit ende nuk mendohet se do të ketë një shtim të stafit të punonjësve që kujdesen për aplikimin, edhe pas rritjes së fluksit të kërkesave për pajisjen me pasaportë biometrike.

Aplikimi në çdo vend

Drejtori i përgjithshëm i gjendjeve civile, Armand Teliti, ka deklaruar pak kohë më parë se radhët e gjata krijohen edhe për faktin se qytetarët paraqiten në oraret e mëngjesit kur është dhe piku, ndërkohë që në orët e mesditës fluksi vjen drejt rënies.

“Sistemi shqiptar i aplikimit, duke qenë se është i lidhur online me regjistrin kombëtar të gjendjes civile, bën të mundur që çdokush mund të aplikojë në çdo zyrë të gjendjes civile pranë banesës së tij, kudo që sheh se ka më pak radhë”, u shpreh Teliti.

Sipas tij, qytetarët që aplikojnë për pasaportën biometrike mund të mos drejtohen vetëm në minibashkinë apo bashkinë, banorë të së cilës rezultojnë, për të mos pritur radhët e gjata që mund të jenë krijuar.

Në të gjithë vendin numërohen rreth 10 mijë persona që aplikojnë për pasaporta, ndërkohë që për momentin prodhohen vetëm 3 mijë pasaporta në ditë.

Punonjësit e zyrave të aplikimit punojnë sipas orarit zyrtar 08.00 me 16.00, por në disa prej tyre kompania ka lënë vetëm një punonjëse, e cila nuk arrin të përballojë fluksin e madh të aplikuesve.

Pasaportat biometrike

Në zyrën postare paguhet shuma prej 6 mijë lekësh dhe merret kuponi. Në zyrën e gjendjes civile dorëzohet kuponi, kryhet gjetja dhe kontrollimi i të dhënave personale.

Kryhet fotografimi, marrja e shenjave të gishtave dhe firma dixhitale. Nëpunësi lëshon kuponin përkatës.

Në polici, pas 15 ditësh, personi vetë ose një i deleguar i tij tërheq pasaportën.

Në këtë moment qytetarit i bëhet me dije se pasaporta e mëparshme bëhet e pavlefshme. Qytetarët shqiptarë mbi moshën 16 vjeç nuk mund të aplikojnë për pasaportë biometrike pa aplikuar më parë për letërnjoftimin biometrik.

Top Channel