Pothuajse 13 muaj pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009, që sollën socialistët në pushtet, Greqia zhvillon zgjedhjet për pushtetin lokal.

Kësaj here grekët shkojnë drejt kutive të votimit në momente kur vendi po kalon krizën më të thellë ekonomike në historinë e tij, kur papunësia po rritet cdo ditë e më shumë, kur qindra biznese po mbyllen dhe kur pakënaqësia e njerëzve ka arritur kulmin pas masave të rrepta anti-krizë që ka marrë qeveria, të imponuara nga FMN dhe BE, që i kanë dhënë Greqisë një paketë ndihme prej 110 miliardë eurosh.

Dhe sikur të mos mjaftonin këto, gjithë vendi u trondit gjatë kësaj jave nga dërgimi i dhjetëra pakove-bombë nga elementë terroristë të majtë, drejt ambasadave të huaja në Athinë, apo edhe ndaj disa udhëheqësve europianë.

Ditët e fundit atmosfera politike ka qenë tepër e polarizuar. Dilema që kryeministri Jorgos Papandreu ka vënë para grekëve se, nëse nuk mbështesin kandidatët socialistë në këto zgjedhje lokale, vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, është bërë “molla e sherrit” me konservatorët që akuzojnë kryeministrin se krijon vetë destabilizim të klimës kundër Greqisë me deklaratat e tij.

“Është një votë përgjegjësie për vendin, për atdheun dhe për pushtetin lokal. Në një rast të tillë, nëse disa përpiqen të mbajnë peng vendin dhe qytetarët në të kaluarën, nuk ka zgjidhje tjetër përvecse të thonë fjalën e tyre të fundit vetë qytetarët”, ka deklaruar Papandreu.

Gjithësesi, zgjedhjet për pushtetin lokal janë një test për qeverinë, që brenda një viti nga marrja e pushtetit, është ndodhur para sfidave të paprecedent në historinë e vendit, në një krizë që nuk është vetëm ekonomike por edhe institucionale, morale dhe shoqërore.

Për herë të parë në historinë e vendit votojnë, por edhe kanë të drejtën për t’u zgjedhur si anëtarë të këshillave bashkiakë, edhe emigrantët e huaj, si rrjedhim edhe ata shqiptarë.

Por vetëm një numër tepër i vogël prej 12.700 emigrantësh, nga pothuajse 190.000 që plotësonin kushtet, do të shkojnë në kutitë e votimit për arsye se nuk janë të regjistruar në listat zgjedhore. Prej tyre, rreth 2660 janë homogjenë dhe mbi 50% janë shtetas shqiptarë.

“Përsa i përket Shqipërisë, ajo është shumë pranë nesh. Shqiptarët janë vëllezërit tanë, nuk është askush kundër. Kemi kundërshtim vetëm përsa u përket personave të rrezikshëm, ndërsa shumica e shqiptarëve dhe e vorioepiriotëve janë integruar, kanë hyrë në zemrat tona, në punët tona, në shtëpitë tona. Dhe ashtu sic thoni edhe ju në Shqipëri, vëllai më i mirë është fqinji”, deklaroi pak kohë më parë Panajotis Psomiadhis, prefekt i Selanikut.

Nga emigrantët dhe minoritarët që kanë vënë kandidaturën për t’u zgjedhur në këshillat bashkiakë, apo ato të qarqeve, përmendim në prefekturën e Selanikut Ana Kapia Samara, Sofia Turaku, Kosta Gero, Moisi Iliadhi, Evis Qaja, Lek Frroku, Gjovalin Prendi dhe Theodhori Miho.

Në qarkun e Athinës janë Mihal Kirusi, Panajot Dule, Piro Tase, Ramadan Avdija, Lefter Kuko, Dritan Cara, etj. Në ishullin Lesbo, Bujar Agolli.

Vlen të përmendim padyshim kandidaturën e ish-portierit të kombëtares shqiptare Foto Strakosha. Pas një karriere tepër të suksesshme në Greqi si futbollist, Strakosha, që ka fituar për shumë vite me radhë zemrat jo vetëm të shqiptarëve por edhe të grekëve, kandidon për këshilltar qarku në grupimin e mbështetur nga Partia Socialiste.

Qëllimi që i ka vënë vetes është aktivizimi i sa më shumë të rinjve në sporte të ndryshme. Edhe në këtë garë elektorale Strakosha shkon me të njëjtin besim në vetvete, për të fituar si atëherë kur zbriste në fushën e futbollit.

Gjithësej në këto zgjedhje votojnë rreth 9.8 milionë grekë, prej të cilëve gati 5 milionë janë gra. Kanditatët për kryetarë qarku dhe kryebashkiakë duhet të sigurojnë në bazë të ligjit të ri 50% plus një votë, që të zgjidhen.

Për herë të parë pas shumë vitesh, asnjë televizion vendas nuk ka pranuar të japë pas orës shtatë kur të mbyllen kutitë, exit polls për arsye ekonomike.

Sondazhet e 15 ditëve më parë treguan rezultate kontradiktore dhe pasqyruan frikën, mosbesimin, pasigurinë dhe skepticizmin e qytetarëve.

Opozita nga ana e saj deklaroi në mënyrë karakteristike se para zgjedhjeve grekët u trembën nga paketat e bombave të terroristëve, por pas zhvillimit të tyre do të gjunjëzohen nga paketat e masave akoma më të rrepta ekonomike që do të ndërmarrë qeveria.

Top Channel