Boshtinaru: Ndërtoni komisionin

04/11/2010 20:00

Zëvendëspresidenti i delegacionit për Europën juglindore, eurodeputeti Viktor Boshtinaru, me anë të një letre drejtuar presidentit të këtij delegacioni Eduard Kukan, i bën të ditur qendrimin e të majtëve europianë për situatën politike në Tiranë.

Në letrën e tij, ai shkruan se për shkak të obligimeve dhe axhendës, shumë nga përfaqësuesit e grupit të socialistëve europianë nuk do të jenë në delegacionin që ka mbërritur në Tiranë.

Për këtë arsye Boshtinaru i bën të ditur kreut të delegacionit, eurodeputetit Kukan, mbështetjen e Grupit socialist në Parlamentin Evropian ndaj Partisë Socialiste të Shqipërisë.

Boshtinaru shkruan se është informuar nga kreu i grupit socialist shqiptar Gramoz Ruci, se në Parlament është kërkuar zbatimi i rekomandimeve të rezolutes së Parlamentit Evropian te datës 8 korrik 2010 dhe ne pohojmë, thote Boshtinaru, thirrjen tonë për qeverine për të filluar zbatimin e kësaj rezolute si një kornizë e mirë për zgjidhjen e krizës së gjatë politike në Shqipëri, pas votimeve të vitit 2009.

Në letër thuhet se grupi deputetëve socialistë shpreh shqetësimin për situatën aktuale institucionale në Shqipëri, si dhe tërheq vëmendjen e të dy palëve se është shumë i nevojshëm bashkëpunimi për shkak se nevojitet shumica absolute në Parlament për të vijuar reformat e kërkuara për procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian.

Boshtinaru vë theksin në faktin se rezoluta e Parlamentit Europian, që kërkon marrëveshje për ngritjen e një komisioni parlamentar që do hetojë zgjedhjet parlamentare dhe që do të ketë kryetarin dhe shumicën e anëtarëve nga opozita.

Një komision që do ketë si mandat hetimin e materialeve zgjedhore. Boshtinaru shkruan se ky komision hetimor duhet të paraqesë konkluzionet në kohë për të mundësuar që Parlamenti të miratojë legjislacionin e ri para zgjedhjeve të ardhshme, në bazë edhe te rekomandimeve te bëra nga OSBE/ODIHR.

Boshtinaru e mbyll letrën e tij me fjalët se, thekson nevojën e tejkalimit të krizës aktuale politike dhe institucionale, e cila është e dëmshme për Shqipërinë dhe marrëdhëniet e saj të ardhshme me Bashkimin Europian.

Top Channel