Kriza e arsimit të mesëm

03/11/2010 19:25

Dikur Tirana ishte me 300 mijë banorë, sot në të banojnë gati trefishi, një qytet që përjeton zhvillimin marramendës dhe që e ka të vështirë t`i përmbahet atij.

Prej dy muajsh në kryeqytet si në të gjithë Shqipërinë ka nisur proçesi mësimor. 14 gjimnaze me kohë të plotë dhe një me kohë të pjesshme, presin çdo ditë 120 mijë nxënës, që përbëjnë gati një të katërtën e të gjithë nxënësve në Republikën e Shqipërisë. Lëvizjet demografike kanë rritur në mënyrë artificiale numrin e nxënësve në shkollat e mesme, të cilat në kryeqytet janë të vendosura në Tiranë-Qytet.

Jemi në gjimnazin “Petro Nini Luarasi”. Klasa 11B po zhvillon orën e kimisë, një klasë e mbipopulluar, në të mësojnë 42 nxënës, nga 35 që parashikon Rregullorja e Mësimdhënies.

Kjo shkollë që i përket njësisë bashkiake numër 5, ka 1380 nxënës, prej 2005-ës, mësimi në këtë institucion arsimor zhvillohet paradite, në 36 ambjentet e saj ndjekin mësimin po kaq paralele. Drejtuesit e saj thonë se u munduan të kapërcejnë vështirësitë e fillim-vitit, duke mos u dorëzuar përballë presionit “për të thyer rekordin e pranimeve”.

“Ka klasa me nga 39, 40, 42, ndërkohë që udhëzimi i Ministrisë së Arsimit është me 35 nxënës për klasë. Kjo do të realizohej nëse do të kishim një numër më të madh klasash”, thotë Diana Kalemi.

Popullsia është trefishuar. Por nuk është trefishuar numri i shkollave. Pavarësisht dyndjes së nxënësve, në kryeqytet pas viteve `90 janë ndërtuar vetëm 4 objekte të arsimit të mesëm, Aleks Buda, Besim Sykja, Sandër Prosi dhe Sinan Tafaj, ndërsa disa objekte të tjera janë përshtatur këtij niveli arsimor.

“Në 6 vitet e fundit në qytetin e Tiranës janë ndërtuar gjithsej pesë shkolla të reja të cilat janë përdorur për shkollat nëntë vjeçare dhe një pjesë e rikonstruksionit në të cilat është rritur kapaciteti. Shkollë e re gjimnaz është ajo ‘Aleks Buda’”, thotë Kalosh Ferhati.

Protesta që nxënësit e klasave të 11-ta në shkollën “Ismail Qemali” zhvilluan në Tiranë më 20 tetor, 500 nxënësit e kësaj shkolle, për të dytin vit rradhazi, për mungesë ambjentesh janë të detyruar të ndjekin mësimin në turnin  e pasdites. Ndërkohë që standardet e BE-së nuk parashikojnë mësimin në turnin e pasdites, ndërsa numri i nxënësve nuk duhet ta kapërcejë shifrën 33.

“Ambjentet në shkollën ‘Islmail Qemali’ janë gjithsej 30. Shkolla ka 1700 nxënës, nëse ne do ta organizonim mësimin paradite, atëherë klasat do të ishin me nga 60 nxënës”, thotë Vojsava Thanasi.

Është ora 17:30, në një klasë po zhvillohet ora e pestë, ajo e kimisë nën drejtimin e mësueses Klotilda Kurtit. Përqendrimi i nxënësve duket maksimal.

“Është njësoj si paradite dhe pasdite”, shprehet Kurti.

Por nxënësit mendojnë ndryshe.

“Jemi të lodhur, nuk kemi kohë të mësojmë, nuk kemi kohë për argëtim, këto janë kushtet e shkollës që duhet t`i pranojmë”, deklarojnë nxënësit.

Në fakt mbipopullimi dhe mësimi pasdite nuk është një fenomen kalimtar, nga vetë drejtuesit e shkollave vijnë paralajmërime të tilla.

“Nëse vitin tjetër vjen një fluks i tillë, mësimi mund të bëhet edhe me tre turne”, thotë Vojsava Thanasi.

Kjo panoramë trishtuese i përket arsimit të mesëm publik në Tiranë. Kritikët thonë se kjo është një strategji për t’i detyruar prindërit t’i dërgojnë fëmijët në shkolla private me pagesë. Autoritetet flasin për mungesë fondesh dhe hapësirash. Ndërkohë që vetë nxënësit, fëmijët e atyre që nuk kanë mundësi të paguajnë edhe taksa për arsim, por edhe shkolla private, janë të detyruar të binden.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel