Turizmi, “Top 10”, Piramida në majë

02/11/2010 02:30

“Lonely Planet”, udhërrëfyesi më i njohur në botë vendosi të parën në listën e 10 vendeve që duhen vizituar në 2011, Shqipërinë.

Njëri prej themeluesve të kësaj organizate qendroi për pak kohë në Shqipëri ku në Tiranë ka bërë disa foto të “Piramidës” që e cilëson si një ndër simbolet e kryeqytetit shqiptar.

“Të gjesh kënaqësi në Shqipëri nuk është një betejë e vështirë. Jo shumë kohë më parë, kur Ballkani konsiderohej një destinacion vetëm për njerëzit e guximshëm, vetëm më trimat mes trimave mund të shkonin në Shqipëri. Mahnitja nga plazhet blu, vendet arkeologjike, kuzhina shumë e mirë, jeta e natës, aventurat dhe mikëpritja e banorëve, për të cilët udhëtarët janë ende diçka e re. Në luftë për të hequr etiketën e bosëve të krimit, Shqipëria ka bërë publike një dashuri të re Mesdhetare në tabelën e turizmit dhe kësisoj nuk do të jetë jashtë shtigjeve të rrahura”, përshkruan Shqipërinë gazetari australian, Tony Wheele.

Pas Shqipërisë vjen Brazili i karnavaleve. Duke u zgjedhur si vendi organizator i Kupës së Botës në 2014 dhe Lojërave Olimpike verore të 2016 Brazili do të ketë një seri të rejash për t’u admiruar.

Cape Verde renditet i treti, më pas Panamaja me ritmet e veta mes modernes dhe primitivizmit, një udhëkryq mes dy kontinentesh ku shekulli i XXI takon agimin e të gjitha epokave.

“Lonely Planet” sugjeron edhe Bullgarinë për ata që pëlqejnë skitë dhe plazhet e Detit të Zi. Më pas vjen Vanuatu për eksperiencat autentike, Italia si një përzierje argëtuese, e bukur dhe karizmatike ku nuk lihen pa përmendur edhe lajmet me protagonist kryeministrin italian, Silvio Berlusconi. Më pas vjen Tanzania, vendi i mrekullive të mëdha. Siria, megjithëse e etiketuar si pjesë e “aksit të së keqes”i ofron një pushim si prej pashai çdo turisti. 10 e “Lonely Planet” mbyllet nga Japonia, vendlindja e sushit dhe e sakes.

Top Channel