Dita kur Bleona nuk u kthye në shtëpi

02/11/2010 19:20

22 maji do të fillonte si një ditë e rëndomtë në komunën Zapod të Kukësit. Secili në këtë fshat ndodhej i shpërndarë në punët e sakta të bujqësisë e blegtorisë rurale. Terren i thyer, pothuajse i pamundur. Disa vajza ndodheshin me lopët në mal. Disa gra në fushë po punonin atë paradite me diell.

Rreth mesditës, në mal me lopët e familjes ndodheshin 5 vajza. Alketa 23 vjeç, Gentjana 22, Qamilja 14, Rudina 22 dhe Diana 20 vjeçare. Bleona po luante me një bashkëmoshatar në fushën jo shumë larg shtëpisë. Gjyshja sapo i kishte dhënë 50 lek për ëmbëlsira. Mamaja e Bleonës ishte në arë dhe po merrej me punët e tokës ndërsa babai i saj ndodhej në Maqedoni.

Dhe pikërisht në këtë moment, nis zanafilla e një historie ankthi dhe misteri, fillin e së cilës ende nuk po arrijnë ta zgjidhin dot as ekspertët e prokurorisë, policia dhe të gjithë ata që po mundohen të gjejnë çfarë ndodhi realisht më 22 maj. Njëra nga vajzat, Qamilja, e cila ndodhej në mal me bagëtinë, zbret në fshat krejt papritur për të marrë diçka dhe në ndryshim nga çdo herë tjetër, ka marrë për herë të parë me vete në mal edhe Bleonën. Arsyet pse ajo e bëri këtë, nuk dihen. Ajo vajzë e vogël, kurrë më parë nuk ishte ngjitur në mal. Asaj sigurisht, i premtuan diçka.

“Unë nuk jam kthyer për të marrë Bleonën. Gentjana më tha të merrja grepin. Bleona po rrinte në fushë me vëllain e vet dhe kur më pa erdhi pas meje në mal. Unë i thashë të kthehej por ajo nuk më dëgjoi. Për mos ta lënë rrugës e mora me vete. Në mal takova Alketën dhe Rudinën dhe u nisa para për te Gentjana që t’i jepja grepin dhe telefonin. Pas meje erdhi Alketa me Bleonën. Më vonë Alketa iku për të kthyer lopën dhe i tha Bleonës të rrinte aty. Edhe unë ika”, tregon Qamilja.

Këtu ndodh edhe misteri. Brenda 10 minutave nga arritja e saj në mal, Bleona nuk gjendet më. Janë vetëm këto 10 minuta që bëjnë dallimin. Sipas policisë, personi i fundit që ishte me Bleonën është pikërisht Qamilja, e cila e la atë për të shkuar në drejtim të Alketës, hallës së Bleonës. Ndërkohë vajzat e tjera ishin shpërndarë më parë. Ato kthehen e Bleona nuk është. Gjyshi i Bleonës, një nga njerëzit më të interesuar për gjetjen e saj, thotë:

“Vajza nuk është në mal, nuk duhet të kërkohet në mal. Vajza për 10 minuta që ka qenë në mal është rrëmbyer”, shprehet i bindur gjyshi i Bleonës, Zenel Mata.

Pas lajmërimeve të para fillon kërkimi dhe krehja e malit. Zenel Mata udhëheq gjithë banorët e fshatit në kërkim të një trupi të njomë në një faqe mali të cilën e njohin fare mirë. Ata janë rritur aty e megjithatë asnjë shenjë. Kanë kaluar 6 muaj e kërkimi vazhdon ende.

“Kërkimet kanë qenë intensive, të gjithë banorët e komunës kanë dalë për ta kërkuar. Po ashtu edhe policia”, vazhdon gjyshi.

Në kërkime janë përfshirë edhe autoritetet. Ato kanë dy pista hetimesh. E para është ajo e humbjes aksidentale, me pasojë zhdukjen në ndonjë grykë a humnerë. Por mbi të gjitha policia dyshon tek një fushë jo larg kufirit me Kosovën që është zonë e minuar, e cila sipas organeve kompetente nuk është parë. Mirëpo Zenel Mata mendon ndryshe.

“Kanë shkuar deri afër kufirit dhe atje s’janë futur. Ajo zonë ka qenë e minuar deri para tre vjetësh, tani nuk ka më mina në atë zonë sepse e gjithë bagëtia atje kalon, njerëzit kalojnë gjithashtu. Edhe vetë kam kaluar me qindra herë”, tregon Zenel Mata.

Ndërsa pista tjetër është ajo e rrëmbimit të paparamenduar e kryer nga dikush që e ka gjetur pasi ajo ka humbur vetë fillimisht. Pra, zyrtarisht pista e krimit të paramenduar është hedhur poshtë. Dhe përveç hedhjes poshtë të pistave me sa duket policia ka hedhur poshtë edhe këmbënguljen për gjetjen e Bleonës pasi hetimet janë ndërprerë.

“Ka dy muaj që nuk ka hetime, po e kërkojmë vetë ne, familjarët”, thotë gjyshi i Bleonës së zhdukur.

Nga të gjithë të intervistuarit tanë, përveç Zenel Matës, askush nuk guxon të shprehet rreth fatit të Bleonës, as policia e Kukësit, as prokuroria e krimeve të rënda e as familjarët e tjerë që ishin me të në mal.

“Për ne pista kryesore është e pesë vajzave, nëse puna bëhet mirë, vajza fajtore del brenda javës”, thotë gjyshi.

Por, ndërkohë që përpiqemi të rindërtojmë ngjarjen, takojmë personin që zyrtarisht e pa i fundit. Ajo është Qamile Mata. E ka pranuar në polici që ishte ajo që e mori me vete në mal. Gjatë pyetjeve të mëparshme ishte shumë e qetë. Por, kur kamera e Pasdite në Top Channel, ishte duke realizuar intervistën me të për të mësuar diçka rreth mënyrës sesi ajo e pa Bleonën për herë të fundit, krejt papritur ndodh diçka. Qamilja ndryshon versionin e saj: “Ngeli vetëm Gentjana me Bleonën, ajo është e fundit që e ka parë atë edhe pse nuk e pranon. Tani nuk flas më me Gentjanën, jemi zënë në polici. Ajo e ka pranuar nëpër televizione që ka qenë e fundit që e ka parë dhe më pas nuk e pranoi më.”

Qamile Mata ka ndryshuar version. Gentjana, komshia e tyre e kahershme është tani personi i fundit që e ka parë vajzën e vogël 6 vjeçare, sipas saj në një rrethanë lëvizjesh shumë të paqartë dhe misterioze. Të paqartë dhe misterioze po aq sa fati i Bleonës së vogël.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel