Rama, takim me Tavon, dështon pajtimi

28/10/2010 08:45

Çështja “Tavo” mbetet e pazgjidhur për Partinë Socialiste. Deklarimet me sens zbutës të kreut të saj, Edi Rama, duket të mos kenë dhënë rezultatin e pritur, sikurse edhe takimi i tij i djeshëm me deputetin e Qarkut të Gjirokastrës.

Në katin e dytë të bar-restorant “Taiwan”, rreth orës 16:15, kryetari i selisë rozë është pritur në një kafe nga deputeti i larguar Vangjel Tavo, me të cilin ka zhvilluar një bisedë të hapur.

Përfundimi i këtij negocimi personal të Edi Ramës ka qenë thuajse asgjë, për sa kohë që ultimatumi i deputetit të Gjirokastrës për Grupin Parlamentar të PS-së mbetet në fuqi.

“Arsyet e largimit unë ia kamë bërë të qarta, përmes një letre zyrtare, kryetarit të partisë. Takimi i djeshëm ishte më shumë informues për situatën e krijuar, por natyrisht mund të them se letra ime dhe kushtet e shprehura aty mbeten në fuqi”, deklaroi Tavo për gazetën “Shqip”.

Kështu përpjekja e Ramës e paralajmëruar dy ditë më parë në një intervistë televizive, nuk ka sjellë asgjë të re për një çështje që prek direkt kapacitetin e grupit parlamentar socialist për të kushtëzuar vendimet dhe lëvizjet e qeverisë.

Me interes është edhe një detaj që flet shumë për situatën e brendshme në selinë rozë dhe që lidhet me procesin e fundit zgjedhor në degët e rretheve të zhvilluara gjatë verës.

Deputeti Vangjel Tavo ka pritur kreun socialist në ambientet e kompleksit “Tawian” së bashku me ish-deputetin e Elbasanit, Shkëlqim Hysa, i cili nuk është bërë pjesë e “kafesë mes kryetarit dhe të larguarit nga partia”.

E rëndësishme në këtë element është pakënaqësia që ajo përcjell për vendimet e ekipit drejtues të PS-së sidomos në drejtim të përzgjedhjes së njerëzve për të drejtuar strukturat e bazës.

Kështu Hysa ka qenë një person shumë i angazhuar në zgjedhjet e fundit për degët e rretheve, por që nuk u mandatua.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për zonën e Gjirokastrës, ku Vangjel Tavo ka shprehur si arsye kryesore të largimit mosmenaxhimin politik të tensioneve të krijuara mes tij dhe drejtuesit aktual të degës, Flamur Bime.

Thënë ndryshe, bastionet e PS-së të njohura si zona ku vota për këtë parti nuk vihet në diskutim po shihen nga ekipi drejtues i saj si bastione të deputetëve, çka krijon një prirje decentralizuese të pushtetit.

Konflikti mes të zgjedhurve në Parlament dhe atyre që përfaqësojnë pushtetin lokal të selisë rozë, me lidhje të shkurtra me njerëzit që janë realisht pushteti i kësaj partie, po përcakton një thyerje të re në PS.

Sesa e vërtetë është koniunktura delikate e krijuar brenda kësaj partie këtë mund ta kuptosh edhe përmes deklarimeve të vetë Tavos, i cili nuk ka munguar t’i bëjë ato publike për shtypin.

“Që unë të kthehem në vendin ku isha në PS, duhet që katër kushte, që unë ia kam çuar me shkrim kryetarit të Partisë Socialiste, duhet që të marrin një përgjigje deri në datën 29 tetor. Jo vetëm që s’kam marrë përgjigje, por gjatë kësaj kohe janë përpjekur që të më marrin vetëm qëndrimin tim politik në të ardhmen”, është shprehur ai disa ditë më parë.

Më domethënës është konstatimi i mëtejshëm sipas të cilit “në Gjirokastër, votat nuk na janë vjedhur.

Në Gjirokastër votat i kemi shitur”, një pohim që dëshmon se pamja homogjene e PS fsheh një klimë të ndërlikuar që gërsheton pakënaqësi dhe llogari që nuk njohin kufij ideologjikë.

Top Channel