INSTAT: Emigrantët nuk do të regjistrohen në Shqipëri

26/10/2010 07:55

Regjistrimi i popullsisë dhe i banesave është një proces që zhvillohet në plan global. Ai mban në konsideratë metodologjinë e hartuar sipas standardeve ndërkombëtare, të cilat janë adaptuar edhe nga Instituti i Statistikave.

Në një shkrim të 1 korrikut, gazeta “Shqip” ka bërë të ditur planin në lidhje me procesin. I përcjellë me shqetësim nga opinioni, duket se procesi në fjalë pritet të sjellë një bazë të tillë të dhënash për popullsinë që banon në Shqipëri, e cila tejkalon shumë ankthin e krijuar nga pyetësori në pikat e vetëdeklarimit të etnisë dhe të besimit fetar.

“Regjistrimi është një proces që do të zhvillohet në mbarë botën vitin që vjen. Duhet të them se është një proces shumë i rëndësishëm, me një diapazon shumë të gjerë. Unë e kuptoj se interesi dhe shqetësimi i shprehur lidhet kryesisht me pyetjet për etnicitetin dhe besimin fetar, por në këtë pikë duhet të sqaroj metodën që ndiqet. Pikësëpari, asnjë e dhënë personale nuk do të bëhet publike, pra deklarimet e personave që regjistrohen, nuk bëhen publike. Si i tillë, procesi është për efekt statistikor dhe ka vlerë për vlerësimin e prirjeve të popullsisë në shumë drejtime. Nga ana tjetër, në regjistrim do të përfshihen vetëm ata persona që kanë qenë prezentë në Shqipëri 12 muajt e fundit dhe kjo gjë verifikohet nga logjika e pyetjeve që ndërtohen. Dhe së treti, pyetësori parashikon edhe mospërgjigjen”, deklaroi për gazetën “Shqip” drejtoresha e Institutit të Statistikave, Ines Nurja.

Ajo ka shtuar se lidhur me emigrantët shqiptarë, apo shtetasit të cilët kanë më shumë se 12 muaj që janë jashtë Shqipërisë, do të ndiqet procedimi në shtetet përkatëse me po të njëjtat mënyra që do të aplikohen në Shqipëri. Madje, për këtë qëllim, vendi ynë ka një marrëveshje bashkëpunimi me Greqinë, e cila konsiston në shkëmbimin e të dhënave që do të merren, duke sanksionuar kështu një njohje reciproke të rezultatit që do të dalë.

 

Top Channel