Arnisi është drita e syve të këtyre prindërve, në kuptimin e plotë të fjalës. Ai është fryt i dashurisë së Arianit dhe Rajmondës, të cilët e kanë humbur shikimin rreth moshës 13 vjeçare.

Monda nga një aksident ndërsa luante me të vëllain, ndërsa Ariani nga një sëmundje që e bëri ta humbë shikimin gradualisht deri në pikën që mos të shihte më.

Jeta solli që ata të njiheshin katër vjet më parë dhe të binin në dashuri, në këtë rast do të quhej dashuri me dëgjim të parë. Pas lidhjes erdhi momenti i martesës dhe vendimit për t’a përballuar jetën bashkë ashtu sikurse do të vinte me momentet e bukura dhe me ato të vështirat.

Por prej një viti e gjysëm ky çift nuk ka njohur tjetër përveç lumturisë. Ardhja në jetë e Arnisit ishte gëzimi më i madh për ta. Ariani ka pritur një javë të tërë për ta takuar të birin që mbahej në inkubator, sepse kishte lindur para kohe.

“Kur e mora në dorë e kuptova që ishte i vogël nëpërmjet prekjes. Ishte shumë emocionuese. Mbaj mend kur mbaja në dorë shishen me qumësht për ta ushqyer”, shprehet babai.

“Edhe pse kam mbaruar për gjuhë-letërsi nuk arrij ta shpreh me fjalë lumturinë që ndjeva”, shton nëna e Arnisit. “Nuk isha fare e interesuar nëse shikonte apo jo, më mjafonte që ishte mirë.”

U deshën 6 muaj që ata të siguroheshin që Arnisi nuk kishte probleme me shikimin. Vetëm në këtë moshë mund të konstatohej nëse ai mund të kishte trashëguar ndonjë problem të syve. Ariani e vuante më shumë nga të gjithë këtë shqetësim, për të cilin kishin diskutuar shumë herë me Rajmondën që kur ishin lidhur bashkë.

“Ka qenë tmerr, ankth kur mendonim se edhe djali mund të kishte probleme. Imagjino që me problemet që kishim ne të ishte dhe Nisi. Do na shkonte jeta me sakrifica dhe vuajtje”, tregon Ariani

Por Arnisi është krejtësisht i shëndetshëm dhe nuk lë dy gurë bashkë. Ariani dhe Rajmonda kujdesen për të në lidhje me çdo gjë edhe pse në shtëpi jetojnë me dy gjyshërit. E lajnë, e veshin, e ushqejnë dhe deri më tani nuk kanë asnjë dallim me prindërit e tjerë.

“Nëse prindërit e tjerë i ndjekin fëmijët me sy, ne e bezdisim pak sepse duhet ta prekim që ta dimë si është. Kemi merak dhe sikur e pengojmë me kujdesin tonë më duket”, shprehet Monda.

Mungesa e shikimit nuk i pengon ata të shijojnë fëmijërinë e Arnisit. Edhe portretin e tij, ata e kanë të pikturuar në mendje.

Ariani e përshkruan kështu djalin e tij: “Arnisin e imagjinoj me flokë gështenjë, me fytyrë të rrumbullakët, balle të gjerë, me sy gri, buzë e hundë të vogël…”

Arnisin e vogël shpeshherë e bezdisin syzet e prindërve. Tenton t’i heqë dhe t’i shohë prindërit në sy, por ata thonë se problemin që kanë do ia shpjegojnë me kalimin e kohës. Sipas Arianit, ai edhe pse është i vogël e kupton kufizimin e prindërve dhe madje përpiqet që t’i ndihmojë.

“Arnisi na ndihmon. Kur i them të sjellë shapkat, ai i merr dhe i sjell te këmbët e mia. Madje dhe kur na bie ndonjë gjë nga duart apo na humbet ai e gjen dhe e sjell. Kjo gjë na gëzon jashtë mase”, përfundon Ariani.

FOTO GALERI
3/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA