Mandati i deputetit Beqja, tkurret mazhoranca

17/10/2010 20:10

Çështja Beqaj dhe votimi i mendimit të Këshillit të Rregullores dhe Mandateve duket se ka krijuar një mjegullnajë përsa i përket ndarjes së numrave në Kuvend.

Lëvizjet më të fundit të deputetëve Paulin Stërkaj dhe Dritan Prifti që kanë vënë në dyshim votat e tyre për mazhorancën, duket se kanë vënë në dyshim aftësinë dhe stabilitetin e shumicës aktuale për t’iu imponuar me vota opozitës, në rastin konkret për të miratuar raportin drejtuar Gjykatës Kushtetuese ku kërkohet heqja e mandatit të deputetit socialist.

Deri pak kohë më parë mazhoranca dispononte 75 deputetë, një numer që i lejonte të manovronte përballë PS pavarësisht ndonjë mendimi ndryshe në gjirin e saj. Por sot gjithçka ka ndryshuar, largimi i papritur i Paulin Stërkajt, që ka deklaruar se do të pozicionohet në opozitë, e çoi numrin e shumicës në 74 deputetë. Stërkaj ka deklaruar se do të jetë në opozitë me qeverinë. Ndërkohë që edhe deputeti Prifti ka deklaruar për Top Channel se e ka votën në favor të Ilir Beqjës.

Në këtë situatë, shumica tkurret në 73 deputetë. Por edhe ky numër mund të mos mbesë i tillë, sidomos pas deklaratave të bera nga Partia për Drejtësi dhe Unitet, qe dha të kuptohet se dy deputetët e saj do të abstenojnë në rastin e deputetit Beqja.

“PDU-ja politike, në Kuvend as jep dhe as u merr mandatin deputetëve”, tha në një konferencë për shtyp deputeti i PDU-së, Dashamir Tahiri.

Vetë Partia Demokratike ka 68 deputetë, ndërsa Levizja Socialiste për Integrim, si aleatja më e afërt e Partisë Demokratike bëri të qartë se qendrimi, tashmë i tre deputetëve të  saj do të jetë uniform me atë të demokratëve.

“Për çështje të tilla nuk ka vend për subjektivizma, qoftë ato edhe politikë. Ne kemi një legjislacion të qartë dhe LSI u përmbahet ligjeve dhe rregullave të këtij vendi për të zgjidhur një çështje të tillë”, u shpreh përfaqësuesi i LSI-së dhe Ministri i Jashtëm, Edmon Haxhinasto.

Në rast të një votimi teorik, mandati i deputetit Beqja ndahet me vetëm një votë. Por në votime të tilla nuk përjashtohet që në momentet e fundit palët të kenë rrjedhje votash, e më e rrezikuar në këtë situatë është mazhoranca. Një situatë e pasigurtë kjo, duke patur parasysh që gjatë kohëve të fundit ka patur edhe disa zëra të tjerë jo pak kritikë në gjirin e grupit parlamentar demokrat.

Top Channel