12-vjeçarja helmon me kafe familjarët

17/10/2010 08:25

Një 12-vjeçare nga Rrethi i Fierit ka helmuar aksidentalisht tre familjarë të saj. E mitura, gabimisht ka përgatitur kafenë me një lëndë toksike që ndodhej në kuzhinën e shtëpisë.

Pasi kanë nisur të rrufisin gllënjkat e para, prindërit dhe gjyshja e saj kanë dhënë shenjat e para të helmimit. Ata ndodhen në repartin e reanimacionit në spitalin e Fierit dhe mjekët shprehen se gjendja e tyre është mjaft kritike për jetën.

Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm, në fshatin Vanaj të Komunës Libofshë, Rrethi Fier.

Sipas burimeve spitalore mësohet se tre të intoksikuarit janë: Avushe, Lindita dhe Eduart Bityçi. Burimet nga fshati Vanaj pohojnë për gazetën “Shqip” se vajza e çiftit Lindita dhe Eduart Bityçi, është shprehur e gatshme që të shërbejë kafe për familjarët e saj.

Ajo i është drejtuar kuzhinës së shtëpisë dhe ka nisur të përgatisë kafenë për gjyshen dhe prindërit e saj. Këta të fundit, sapo kanë nisur të pinë kafenë, janë ndier keq. Ata janë ankuar se kishin marrje mendsh, dhembje të forta barku dhe të përziera. Një i afërm i tyre i ka transportuar me makinë drejt spitalit rajonal të Fierit për t’u dhënë ndihmën mjekësore.

Pasi kanë parë gjendjen e të intoksikuarve, mjekët e urgjencës së Fierit i kanë transportuar të sëmurët drejt repartit të reanimacionit, ku fillimisht u është dhënë ndihma e shpejtë dhe më pas një mjekim më i specializuar. Përgjatë gjithë paradites së të shtunës, një ekip mjekësh kanë bërë përpjekje maksimale për të shpëtuar tre familjarët e intoksikuar aksidentalisht.

Edhe pse ata nuk kanë dalë ende nga gjendja kritike, mjekët vijojnë të japin pak shpresa jete. Deklarohet se sasia e madhe e lëndës toksike ka shkaktuar dëmtime serioze në organet e aparatit tretës. Sipas bluzave të bardha, në gjendje më kritike për jetën paraqitet e moshuara 68-vjeçare, e cila e ka konsumuar të gjithë kafen e helmuar.

Ndërkohë, policia lokale është njoftuar vetëm pak minuta pas mbërritjes së tre familjarëve Bityçi në spitalin e Fierit. Pas marrjes së deklaratave të para në spital, uniformat blu i janë drejtuar fshatit Vanaj.

Gjatë kontrollit të banesës dhe vendit ku është përgatitur kafja, policia ka gjetur bidonë me lëndë toksike që për nga pamja e jashtme ngjante me ujin. Sipas policisë, lënda toksike ka qenë e llojit “bedidonë”.

Ajo ishte blerë nga Eduart Bityçi për shfarosjen e brejtësve, të cilët ishin kthyer në shqetësim për familjen. Edhe nga marrja në pyetje e 12-vjeçares që përgatiti kafen e helmuar ka dalë se gjithçka ka qenë aksidentale.

Një mostër e lëndës helmuese, si dhe mostra të të vjellave të tre personave të intoksikuar janë dërguar për analiza të specializuara në Tiranë. Ndërkohë, paraprakisht ngjarja është klasifikuar si aksidentale nga policia.

Top Channel