Tiranë, protesta për ujin e pijshëm

15/10/2010 23:20

Disa dhjetëra banorë të Tiranës, në zonën e Unazës së Re, kanë protestuar në mbrëmje për mungesën e ujit të pijshëm në apartamentet e tyre.

Këta qytetarë banojnë në një kompleks pallatesh të reja, të ndërtuara para tre vjetësh dhe deri tani furnizoheshin me ujë pusi, të hapura nga firmat e ndërtimit.

Ujësjellësi i Tiranës e ka shenjuar këtë zonë në hartën e vet problematike, pasi sipas këtij insitucioni shumica dërrmuese e pallateve të reja në Unazën e Re, nuk kanë kontrata për furnizimin me ujë të pijshëm.

Sipas Ujësjellësit kjo gjendje ka ardhur pasi firmat e ndërtimit kanë ngritur objektet e tyre pa një plan për të furnizuar pallatet me ujë të pijshëm dhe në shumicën e rasteve kanë  ndërtuar mbi tubacionet e ujit, duke dëmtuar rrjetin dhe duke u kujdesur vetëm për fitimet nga shitja e apartamenteve pa kontrata me Ujësjellësin.

Ky insitucion ka njoftuar pak kohë më parë se ka hartuar një projekt për heqjen e kësaj zone nga harta problematike, por deri tani nuk është e qartë se kur do të nisë zbatimi i këtij projekti dhe se kur banorët e pallateve tek Unaza e Re do të furnizohen me ujë të pijshëm. 

Top Channel