Komuna Shllak e izoluar

10/10/2010 08:35

Reshjet e ditëve të fundit në Qarkun e Shkodrës, përveç përmbytjeve të disa zonave të Nënshkodrës kanë krijuar rrëshqitje masive dheu në zonën e thellë malore të Komunës Shllak në kufi me Tropojën.

Këtu 10 banesa janë bërë të pabanueshme, ndërsa 30 të tjera kanë pasura dëmtime të rënda. Rruga nacionale që lidh këtë komunë me Shkodrën është e pakalueshme. Konkretisht, rrëshqitje të madhe dheu nga shpatet malore ka pasur në fshatrat Benë, Ukbibaj, Vukaj, Fushë-Ratë dhe Barcolë.

Në disa zona rrëshqitjet e dheut kanë shkuar deri në katin e dytë të banesave duke lënë në qiell të hapur rreth 50 banorë të kësaj komune. Problem në këtë zonë paraqesin dhe rrugët rurale ku disa ura dhe rrugë kanë pësuar shembje nga rrëshqitja e dherave.

Përveç reshjeve të dendura, një ndër shkaqet e rrëshqitjes masive të dherave është dhe fakti i dëmtimit të pyjeve në këtë zonë. Aktualisht, Komuna Shllak është e izoluar nga pjesa tjetër e vendit dhe banorë të zonës kërkojnë ndërhyrjen e strukturave shtetërore për normalizimin e situatës, pasi nga shtabi i emergjencës në Shkodër kjo komunë nuk përmendet për dëmin që i është shkaktuar.

Top Channel