1.5 milionë euro për kërkesat e onkologjikut

10/10/2010 08:20

Zyrtarisht, fondet për blerjet e mëdha të ilaçeve nëpërmjet procedurave të tenderëve kanë përfunduar.

Për shkak të realizimit të tenderëve të fundit në muajin gusht, rezulton se “qesja” e rezervuar për shpenzimet e ilaçeve tashmë është ezauruar. Konkretisht, fondi i vendosur në dispozicion vetëm për blerjet e medikamenteve të tumoreve prej rreth 500 mijë eurosh ka mbaruar dhe ajo që i mbetet administratës së qendrës spitalore në Tiranë është gjetja e burimeve alternative për financimin e pacientëve, të cilët trajtohen aktualisht në shërbimin e onkologjikut.

Sipas qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza”, si zgjidhje për mungesat e barnave në këtë pavijon është menduar përdorja e të ardhurave dytësore. Duke nisur nga tetori e deri në fund të dhjetorit, të gjitha mungesat do të plotësohen vetëm me blerjet e vogla, blerje pak më të “mëdha”, me fondet e të ardhurave që vetë spitali i ka grumbulluar, si pasojë e vendosjes së tarifave për qytetarët e pasiguruar.

Nga të dhënat e qendrës spitalore, rezulton se duhen mesatarisht 1.5 milionë euro për të përmbushur të gjitha kërkesat për blerjet e ilaçeve për shërbimin ku trajtohen tumoret. Ndërkohë që një studim i kryer nga specialistët dhe ekspertët që trajtojnë pacientët me tumore fatura e mbulimit të kërkesave për barna e terapi zëvendësuese për të gjithë të sëmurët që paraqiten te “Nënë Tereza” kap shifrën e 5.5 milionë eurove. Ajo që ekspertët sqarojnë është se në rast se mbulohen nevojat për të gjithë të sëmurët që paraqiten në onkologjik, atëherë zgjidhen edhe probleme të tjera si teknike ashtu edhe sociale. Sipas tyre, duhet pasur në vëmendje, që vit pas viti ka rritje të pacientëve që preken nga tumoret.

Por jo vetëm kaq, një pjesë e mirë e të sëmurëve që paraqiten në shërbimin e trajtimit të sëmundjeve tumorale vijnë edhe nga diaspora, Kosova, Mali i Zi e Maqedonia. Kjo për shkak se mjekët, pajisjet dhe përvoja e trajtimit të sëmundjeve tumorale është më e mirë në Shqipëri sesa në rajon. Po ashtu, sipas analizës së ekspertëve të onkologjisë, rezulton se një pjesë e pacientëve pavarësisht se paguajnë sigurime shëndetësore, apo kanë paguar këto detyrime para daljes në pension, shpesh u duhet t’i blejnë barnat e terapisë zëvendësuese vetë, duke paguar ekstra dhe privatisht.

Çdo vit, në pavijonin e onkologjikut trajtohen dhe ekzaminohen më shumë se njëmijë pacientë. Në studimin e kryer nga shërbimi i onkologjisë analizohet periudha njëvjeçare e rasteve të trajtimit të sëmundjeve me diagnozën e kancerit. Është përcaktuar numri total i të sëmurëve për një vit. Janë specifikuar llojet e veçanta të kancerit të ndarë në 24 grupe. Janë evidentuar rastet dhe skemat e mjekimit brenda të njëjtit lloj. Barnat që përdoren në trajtimin mjekësor numërohen të jenë 35. Nga ky studim rezulton se fondi total i nevojshëm i të sëmurëve në këtë studim kap shifrën e 5.5 milionë eurove. Ndërkohë që, sipas përllogaritjeve mesatare të kryera, fatura financiare që do të zgjidhte hallin e pacientëve që trajtohen në këtë shërbim kap vlerën e 10 milionë eurove.

Top Channel