Largimi i Tavos, Luan Rama: Nuk ka gisht Nano

05/10/2010 19:55

Në një dalje publike për të lajmëruar një konventë të LSI-së në Tiranë, në kuadër të riorganizimit të partisë, sekretari i përgjithshëm i LSI-së Luan Rama komentoi edhe zhvillimet e fundit politike në vend.

I pyetur nëse ka gisht Fatos Nano në largimin e deputetit Vangjel Tavo nga grupi socialist, zoti Luan Rama dha një përgjigje “jo” të prerë.

Ai vlerësoi me tone mjaft pozitive ish-kryetarin e Partisë Socialiste, duke thënë se Fatos Nano mbetet kontribuesi më i rëndësishëm i të majtës shqiptare që nga themelimi i Partisë Socialiste dhe deri më sot.

Sipas Luan Ramës, sekretar i përgjithshëm i LSI-së, në të gjitha rastet kur Fatos Nano është shfaqur, ka tregur përgjegjësitë e një lideri politik dhe i ka tejkaluar interesat parciale apo të grupeve.

Zoti Luan Rama tha se angazhimet dhe kontributet e Fatos Nanos janë gjithnjë dobiprurëse dhe produktive.

Sekretari i përgjithshëm i LSI-së shprehu besimin se zoti Nano do të dijë të bëjë gjithnjë më të mirën e mundshme, për të majtën europiane shqiptare dhe për çfarë ka nevojë procesi i integrimit europian të Shqipërisë.

Top Channel